Maas: Shpresojmë që Ballkani Perëndimor të fillojë fazën tjetër të Zonës Ekonomike Rajonale

TIRANË, 28 tetor /ATSH/ “Shpresojmë që Ballkani Perëndimor të fillojë fazën tjetër të Zonës Ekonomike Rajonale. Kjo do të përshpejtojë rritjen ekonomike duke sjellë në rajon katër liritë e Bashkimit Europian”, tha ministri Federal i Punëve të Jashtme, Heiko Maas, duke folur në konferencën “Të rinjtë, migracioni dhe sfida demografike në Ballkanin Perëndimor”, sipas njoftimit të ambasadës gjermane në Tiranë  e cila përcolli fjalën e mbajtur prej tij.

“Dëshiroj t’ju propozoj sot tre hapa: Së pari, duhet të investojmë për të ardhmen. Për shkak të pandemisë, gjithnjë e më shumë kompani po planifikojnë një zhvendosje të tipit “nearshore” të bizneseve të tyre prodhuese. Vendet e Ballkanit Perëndimor janë në pozicionin ideal për këtë qëllim. Tri javë më parë, Komisioni Europian prezantoi Planin e ri për Ekonominë dhe Investimet në Ballkanin Perëndimor. Ky plan e vendos fokusin në ekonominë e gjelbër dhe digjitale dhe mbështet ndërlidhjen. Nëntë miliardë eurot që ofrohen në këtë kontekst mund t’i japin një hov transformimit ekonomik në rajon”, tha Maas.

Por, theksoi Maas, “baza për investime të suksesshme janë reformat; Reformat, që mund të ndërmerren vetëm nga qeveritë tuaja, duke ulur korrupsionin dhe burokracinë. Raportet e fundit të Komisionit Europian për secilin nga vendet tregojnë shumë qartë, se ku është e nevojshme të veprohet më shumë. Sundimi i ligjit dhe qeverisja e mirë vazhdojnë të jenë përparësitë kryesore. Jo sepse është Bashkimi Europian që i kërkon, por sepse ato janë në interes të njerëzve dhe sipërmarrjeve tuaja. Dhe në të gjithë këtë, ne jemi në krahun tuaj”.

“Në Samitin e këtij viti të Procesit të Berlinit, të organizuar nga Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria, shpresojmë që Ballkani Perëndimor të fillojë fazën tjetër të Zonës Ekonomike Rajonale. Kjo do të përshpejtojë rritjen ekonomike duke sjellë në rajon katër liritë e Bashkimit Europian. Gjithsesi, shtylla kurrizore e bashkëpunimit rajonal janë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë”, theksoi ai.

“Kjo më çon në pikën time të dytë. Le t’i lemë më në fund të qeta fantazmat e të shkuarës! Sepse ato po bllokojnë rrugën e vendeve tuaja drejt të ardhmes. Kjo vlen në mënyrë të veçantë për Kosovën dhe Serbinë. Zgjidhja është e vonuar. Ndaj jam shumë mirënjohës që Miroslav Lajçak rinisi në korrik dialogun e ndërmjetësuar nga BE. Dhe unë ndaj plotësisht këndvështrimin e tij, se nuk ka asnjë alternativë tjetër veç një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, të qëndrueshme dhe detyruese. Një hap i tillë kërkon udhëheqje të fortë politike. Dhe unë kam besim se udhëheqësit në Beograd dhe Prishtinë do ta dëshmojnë këtë – duke u angazhuar në mënyrë konstruktive kundrejt njëri-tjetrit, dhe duke shtruar kësisoj rrugën drejt një epoke të re. Sa më shpejt të filloni, aq më mirë do të jetë për stabilitetin në të gjithë rajonin. Dhe aq më shpejt do të zhbllokoni perspektivat e Kosovës dhe Serbisë për në BE”, u shpreh Maas.

“Pika e tretë dhe e fundit, është në interesin tonë të përbashkët strategjik që vendet tuaja të anëtarësohen në Bashkimin Europian”, tha ai.

“Në Samitin e Zagrebit në maj, BE-ja dhe Ballkani Perëndimor u angazhuan përsëri për zgjerim dhe reforma të nevojshme.  Ne hapëm dyert për bisedimet e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kemi në plan që Konferencën e Parë të Anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut ta mbajmë para mbylljes së Presidencës Gjermane. Dhe – nëse kushtet do ta lejojnë – edhe me Shqipërinë”, theksoi Maas. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.