“Luftimi i diskriminimit racor dhe intolerancës”/ Ahlund: Shqipëria, arritje të mëdha gjatë dy dekadave

TIRANË, 28 tetor /ATSH/ Komisioni Europian i Këshillit të Europës kundër Racizmit dhe Intolerancës (ECRI) në bashkëpunim me Avokatin e Popullit dhe Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi në Shqipëri organizoi sot në Tiranë, një tryezë të rrumbullakët online mbi “Luftimin e diskriminimit racor dhe intolerancën në Shqipëri”.

Takimi i organizuar në kuadrin e programeve të përbashkëta të Bashkimit Europian dhe Këshillit të Europës: “ROMACTED: Promovimi i qeverisjes së mirë dhe fuqizimit Rom në nivel vendor” dhe “Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë 2019-2022” – Projekti mbi Promovimin e Diversitetit dhe Barazisë në Shqipëri, kishte si qëllim të diskutojë me zyrtarët e autoriteteve vendore dhe qendrore kryesore, organizatat ndërkombëtare, grupet vulnerabël, minoritetet kombëtare dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile, ecurinë dhe çështjet kyçe lidhur me fazën e ndjekjes së rekomandimeve të përmbëjtura në raportin e fundit monitorues për Shqipërinë të ECRI-t, i miratuar në qershor 2020.

Eventi u hap nga Christian Ahlund, ish-kryetari i ECRI dhe raportuesi për Shqipërinë, i cili mirëpriti pjesëmarrësit, njohu ndryshimin pozitiv ndërsa trajtoi disa nga sfidat kryesore në përpjekjet për të luftuar diskriminimin racor dhe intolerancën në Shqipëri.

“U befasova për mirë vitin e kaluar nga arritjet e mëdha që Shqipëria ka shënuar gjatë dy dekadave dhe ju përgëzoj të gjithëve për këtë. Megjithatë, si në të gjitha vendet anëtare të Këshillit të Europës, ka probleme dhe sfida në fushën e racizmit, diskriminimit racor dhe intolerancës të cilat mbeten ende dhe duhet të adresohen”, theksoi Ahlund.

Erinda Ballanca, Avokat i Popullit në Shqipëri, gjatë fjalës së saj u fokusua në rëndësinë e veçantë qe ka ndjekja dhe zbatimi i rekomandimeve të raporteve të ECRI-t, si dhe marrjen në konsideratë të dokumentave strategjike Europiane, në procesin e hartimit të dokumentave strategjike vendas si dhe parashikimin e fondeve të nevojshme nga buxheti i shtetit për zbatimin e Planeve Strategjike.

Robert Gajda, Komisioner për Mbrojtjen nga Diskriminimi gjatë fjalimit të tij trajtoi rëndësinë e politikave dhe iniciativave publike në luftën kundër diskriminimit racor dhe intolerancës. “Roli i shtetit në këtë proces është të krijojë përmes politikave, veprimeve dhe iniciativave të qëndrueshme, mundësi reale për grupet më të pafavorizuara në mënyrë që mundësi të tilla të vendosen në mënyrë efektive dhe të garantojnë barazi thelbësore”, shtoi Gajda.

Agron Tare, zëvendësministri për Europën dhe Punët e Jashtme në fjalimin e tij konfirmoi angazhimin e autoriteteve në Shqipëri në luftën kundër diskriminimit dhe garantimin e barazisë.

“Qeveria shqiptare mbetet e angazhuar në përmbushjen e detyrimeve ndërkombëtare duke patur si prioritet zbatimin dhe përmirësimin e kuadrit ligjor”, theksoi Tare.

Takimi vijoi me seksionet tematike, ku pjesëmarrësit trajtuan disa nga sfidat kryesore në lidhje me ndjekjen dhe adresimin e rekomandimeve në raportin ECRI të vitit 2015, siç janë zhvillimi dhe zbatimi i kuadrit ligjor për luftimin e racizmit dhe diskriminimit racor; si dhe zgjidhjet për problemet e strehimit të komuniteteve Rome dhe Egjiptiane.

Ky aktivitet synon të kontribuojë pozitivisht në debatin kombëtar për luftimin e diskriminimit racor dhe intolerancës në Shqipëri, si dhe në rritjen e ndërgjegjësimit tek publiku i gjerë për këto çështje thelbësore.

Që nga miratimi i raportit të pestë të ECRI-t për Shqipërinë në 19 Mars 2015, është regjistruar një përparim në disa fusha, megjithatë, ECRI shpreh disa shqetësime lidhur me çështje kyçe, të tilla si masa shtesë për të luftuar gjuhën e urrejtjes dhe diskriminimin veçanërisht ndaj personave LGBTI dhe Romëve, zbatimin e duhur e Planit të Veprimit LGBTI 2016-2020 dhe Planit Kombëtar të Veprimit për integrimin e Romëve dhe Egjiptianëve 2016-2020 si dhe veprimet e mëtejshme në luftën kundër bullizmit dhe ekstremizmit në shkolla, veçanërisht për grupet më të pafavorizuara.

Në Shqipëri, projektet në kuadër të programeve të përbashkëta të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Europës, “Promovimi i diversitetit dhe barazisë në Shqipëri” dhe “ROMACTED” po punojnë me autoritetet verndase për të adresuar mbrojtjen e pakicave kombëtare, promovimin e të drejtave LGBTI dhe luftimin e gjuhës së urrejtjes në përputhje me standardet dhe rekomandimet e vendosura nga Këshilli i Europës. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.