Ligji “Për armët”/ Lamallari: Harmonizim me kuadrin rregullator të BE-së

TIRANË, 28 tetor /ATSH/ Komisioni për Integrimin Europian në drejtimin e kryetares Rudina Hajdari dhe në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi, në mbledhjen e sotme, shqyrtoi dhe miratoi projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për armët””.

Të ftuar në mbledhjen e komisionit ishin: Besfort Lallamallari, zëvendësministër i Brendshëm, Albert Dervishaj, zëvendësdrejtor i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, si dhe përfaqësues nga Ministria e Mbrojtjes.

Në fjalën e tij zëvendësministi Lamallari, bëri një rezyme të projektligjit për armët, si dhe propozimet për ndryshimet përkatëse.

“Projektiligji ka për qëllim kryesor përputhjen me objektivin nr. 1 të strategjisë për kontrollin e armëve të vogla dhe të lehta, (2019-2024) ku përcaktohet që brenda vitit 2023 të garantohet miratimi i legjislacionit për kontrollin e armëve dhe harmonizimin me kuadrin rregullator të Bashkimit Europian dhe detyrimet e tjera përkatëse”, u shpreh Lamallari.

Albert Dervishaj në fjalën e tij u ndal në nismat e këtij projektligji që konsiston në Përafrimin e Legjislacionit Europian, si dhe risitë e tij.

Sipas Dervishaj objektivat kryesore të kësaj nisme, kanë të bëjnë me kushtet dhe kriteret për mbajtjen, ruajtjen, tregtimin, importimin, eksportimin, gjurmimin e transportimin, brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, të armëve të kategorive të ndryshme, marrëdhëniet ndërmjet shtetit dhe subjekteve për pajisjen me armë e municione, kur një e drejtë e tillë ka lindur për shkak të pronësisë apo të detyrës, marrëdhëniet për lëshimin e licencave dhe autorizimeve nga Policia e Shtetit për çdo subjekt të interesuar për veprimtaritë e lejuara me armë, veprimtarinë e prodhimit, çaktivizimit dhe riparimit të armëve.

Dervishaj u ndal gjithashtu dhe në dy fenomenet që kanë të bëjnë me  kontrollin dhe dorëzimin e armëve të vogla dhe të lehta, që mbahen nga shtetasit shqiptarë pa leje, si dhe forcimin e kritereve për shtetasit që do të pajisen me leje për armëmbajtje.

Dedë Kasneci, Drejtor i Shërbimit të Përafrimit të Legjislacionit në Kuvend, tha se është analizuar përputhshmëria e tij dhe ky projektligj është përafruar me legjislacionin përkatës të BE-së.

Pas diskutimeve, anëtarët e këtij komisioni miratuan nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë.

Mbledhja e sotme e komisionit u zhvillua përmes platformës virtuale të komunikimit “Cisco Webex”. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.