Lezhë/ Investime për rikonstruksionin e pallateve të dëmtuara nga tërmeti në Torovicë

TIRANË, 28 tetor/ATSH/ Torovica e Lezhës do të transformohet duke ndërhyrë te të gjitha pallatet e degraduara në vite.

Kështu u shpreh sot kryetari i bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, duke ndarë pamje nga nisja e punës për lirimin e hapësirave publike.

Ndreu tha se “do të investohet per forcimet strukturore dhe riparimin e ambienteve të përbashkëta për çdo pallat të dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit 2019”.

“Prandaj lirimi i hapësirave publike është një veprim i nevojshëm për zbatimin e projektit”, tha ai.

Në Lezhë do të zhvillohen dy zona të reja urbane, ku do të ndërtohen 209 banesa kolektive (në pallate) ndërsa 128 familje do të strehohen në banesat e reja individuale. Zonat e reja do të krijojnë hapësira të gjelbëruara, ambiente shërbimi dhe infrastrukturë të re komunitare, shumë herë më të mirë se ajo ekzistuese.

Programi i Rindërtimit në Lezhë përfshin gjithashtu rindërtimin e 7 objekteve arsimore, të financuara nga qeveria dhe donatorët.

/m.m//a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.