Leja e punës për të huajt/ Punëdhënësi paraqet kërkesën nëpërmjet portalit e-Albania

TIRANË, 28 tetor/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi të mërkurën vendimin për përcaktimin e kritereve, dokumentacionit dhe procedurës për pajisjen, ripërtëritjen, refuzimin dhe anulimin e lejes së punës C/SHK për shërbime kontraktuese.

Sipas vendimit të qeverisë, të huajit i jepet leje pune për shërbime kontraktuese, për një kohëzgjatje jo më shumë se 90 ditë brenda një viti kalendarik, nëse plotëson disa kritere, ku përfshihet një kontratë e rregullt pune për shërbime kontraktuese me punëdhënësin, apo dokumentin ku vërtetohet se punëdhënësi nuk ka kryer shkelje të legjislacionit të punës në vitin kalendarik pararendës.

Kërkesa për t’u pajisur me leje pune paraqitet nga subjekti. “Punëdhënësi paraqet kërkesën, nëpërmjet shërbimit elektronik të portalit e-Albania, për ta pajisur të huajin e kontraktuar nga ana e tij, për herë të parë, me leje pune të tipit “C/SHK”, si dhe dokumentacionin e përkthyer në gjuhën shqipe dhe të njësuar me origjinalin nga noteri”, përcaktohet në vendim.

Lidhur me ripërtëritjen e lejes së punës për shërbime kontraktore, vendimi përcakton se punëdhënësi nëpërmjet portalit e-Albania, brenda 30 ditëve para përfundimit të lejes paraardhëse, paraqet dokumentacionin e kërkuar të përkthyer në gjuhën shqipe dhe të njësuar me origjinalin nga noteri.

Po ashtu, sipas vendimit të qeverisë, i huaji, të cilit i refuzohet ose i anulohet leja e punës ka të drejtën e ankimimit.

Në vendim përcaktohet edhe tarifa shtetëtore për lëshimin apo rinovimin e lejes së punës.

I huaji, i cili pajiset për herë të parë me leje pune të tipit “C/SHK” para marrjes së lejes së punës, detyrohet të paguajë tarifën prej 4 000 (katër mijë) lekësh.

I huaji, të cilit i rinovohet leja e punës para marrjes së lejes së punës, detyrohet të paguajë tarifën prej 2 000 (dy mijë) lekësh.

Sipas vendimit, drejtoria, që ka në përgjegjësi çështjet e migracionit në ministrinë e përgjegjëse që mbulon çështjet e punësimit, monitoron, në mënyrë periodike, procedurën e ndjekur nga struktura në nivel qendror e Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive për dhënien e lejes së punës./a.gjonaj/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.