Kthimi në Kuvend i Kodit Zgjedhor/ Spiropali: Presidenti, 54 faqe konsiderata personale

TIRANË, 28 tetor/ATSH/ Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet për Parlamentin Elisa Spiropali deklaroi sot se Parlamenti do të votojë nesër dekretin e Presidentit, i cili riktheu për rishqyrtim ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

Gjatë një interviste në medie, Spiropali tha se kemi votuar një reformë zgjedhore me disa ndryshime që respektojnë pikë për pikë marrëveshjen e Këshillit Politik të 5 qershorit në Kuvend.

“Nesër thjesht do të rivotojë, pasi presidenti çuditërisht me dekret rrëzoi ndryshimet. Nga 80 faqe komente të presidentit mbi ndryshimet në Kodin Zgjedhor, 54 ishin konsiderata të tij personale mbi sistemin politik në Shqipëri dhe mbi regjimin dhe diktaturën. Rrëzohet një ligj dhe Presidenti nuk denjon të japë argumente juridike, por bën 54 faqe konsiderata personale mbi natyrën e republikës sonë”, deklaroi Spiropali.

Sipas ministres Spiropali, komisioni i Ligjeve i ka marrë me radhë dhe i ka kthyer përgjigje.

“Nuk po ndryshon sistemi, nuk janë të cenuara partitë politike, qytetarët do të kenë të drejtën që të votojnë edhe emrat e tyre, një për një, se ndoshta ky është problemi se do të kenë emrin në listë dhe do të shohim sa të votueshëm janë, por do të votohet patjetër edhe partia dhe alternativa”, tha Spiropali.

/a.gjonaj/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.