Kryemadhi me banorë në Dërmenas: Populli jep verdiktin për çdo politikan që tallet me fatin e tij

TIRANË, 28 tetor /ATSH/ Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi në një takim me banorët e Dërmenasit në Fier theksoi se, vetëm në një ditë qeveria fiton 3 milionë euro nga nafta që shqiptarët konsumojnë çdo ditë.

“Tre ditë t’ia uli çmimin e naftës për shqiptarët, fermerët, dhe të mendojë për naftëtarët e Ballshit që po vazhdojnë prej 18 ditësh me grevën e urisë”, tha ajo.

Kryemadhi tha se, “sot më shumë se kurrë kemi nevojë për të rinj, burra dhe gra që kanë pasionin për të ndryshuar këtë realitet”.

“Sot ne kemi nevojë për shtëpi; secili nga ne është rrugëve, në fushë, në stallë, është i lodhur, nuk fle në rrugë, nuk pushon në stol, por kthehet në shtëpi për t’u çlodhur. Edhe ne këtë duam të bëjmë, ta bëjmë Shqipërinë shtëpinë tonë. Të kthehen djemtë dhe vajzat, të jenë pranë familjeve të tyre, të punojnë tokat tona, të punojnë për turizmin tonë, vendin tonë dhe të mos punojnë si shërbëtorë për të tjerët”, tha Kryemadhi.

“Ne si LSI nuk do të ndalojmë duke u takuar me njerëzit dhe biseduar me ta, sepse bashkëbisedimi është më mirë se mitingjet e mëdha”, shtoi ajo.

“Rezultatet e partive politike s’janë as spotet publicitare, as gazetarët e blerë, as mediet e blera, as administrata e terrorizuar, por sesa e aftë është ajo për të krijuar figura të reja politike, për qëndruar pranë njerëzve dhe për t’i dhënë shanse te barabarta të gjithëve”, tha Kryemadhi.

“Ne Fierin e shikojmë si qark që për hir të së vërtetës ka votuar në shumicë Rilindjen në zgjedhjen e kaluara, por është grabitur në shumicë nga Rilindja për shkak të xhepave të Ramës dhe oligarkëve të tij. Dhe 25 prilli do të jetë dita që aksidenti Rama do të mbyllet dhe do të mbarojë përfundimisht dhe jo vetëm si aksident, por do të jetë me një goditje dërrmuese”, u shpreh Kryemadhi.

“Nuk janë politikanët ata që dënojnë politikanët, por është verdikti i popullit që dënon me votë çdo politikan që tallet me fatin e populli të tij dhe njerëzve të tij”, theksoi ajo. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.