Kosovë/ 669 të vdekur nga COVID-19 që nga fillimi u epidemisë

PRISHTINË, 28 tetor/ATSH/- Që nga shpërthimi i pandemisë COVID-19 në Kosovë kanë vdekur 669 pacientë.

Ndërsa janë bërë më shumë se shtatë muaj prej që kur u paraqitën edhe rastet e para pozitive me COVID-19 në vend, numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 18 mijë e 345, ku nga ta kanë arritur që të shërohen 15 mijë e 198 persona.

Nga të dhënat e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), bëhet e ditur se numri i rasteve aktive me COVID-19 është 2 mijë e 478 persona.

“Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 1.018 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 197 raste pozitive. Brenda 24 orëve janë raportuar tre raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv (2 raste Spitali i Përgjithshëm Prizren dhe 1 rast Mjekimi Intensiv Qendror, QKUK). Numri total i rasteve pozitive është 18.345 raste nga 89.108 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 669 raste të vdekjes. Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 48 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 15.198 raste, kurse numri i rasteve aktive është 2.478”, thuhet në të dhënat e IKSHPK-së.

Prishtina sërish vazhdon të prijë për numrin e rasteve pozitive.

Gjatë 24 orëve të fundit në komunën e Prishtinës janë shënuar 92 raste të reja me COVID-19. Më pas vjen komuna e Gjilanit me 17 raste, Gjakova me 14 raste, Peja me 14 raste, Ferizaj me 13 raste, Drenas me 4 raste, Istogu me 2 raste dhe me nga një rast komuna e Shtimes dhe Vitisë. Ku kjo e fundit kishte shënuar edhe rastin e parë meë COVID-19 më 13 mars 2020.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.