Investimet në bujqësi/ Sipërfaqja e ujitshme e tokës u rrit me 135 mijë hektarë më shume se në 2013

TIRANË, 28 tetor/ATSH/ Sipërfaqja e ujitshme e tokës bujqësore u rrit me 135 mijë hektarë tokë më shumë në vitin 2020, krahasuar me vitin 2013.
Kryeministri Edi Rama ndau sot disa statistika lidhur me ujitjen ndërsa theksoi se në vitin 2013 ujiteshin 120 mije hektarë tokë bujqësore ndërsa në vitin 2020 ujiten 255 mijë hektarë.
“Mirëmëngjes dhe me këto dy shifra që flasin sa 1000 fjalë për transformimin e bujqësisë, rritjen e prodhimit e të eksporteve në më shumë se dyfishin e tokës që punohet sot krahasuar me 7 vjet më parë, ju uroj një ditë të mbarë”, tha Rama.
Në total, investimet në ujitje u rritën me 188% dhe janë investuar rreth 3.5 miliardë lekë për t’i lehtësuar fermerëve aktivitetin duke ndikuar dhe në rritjen e prodhimit bujqësor.

Qeveria gjatë këtij viti adresoi peshën më të madhe të financimit për bujqësinë në investimet për sistemin e ujitjes dhe kullimit, me impakt rritjen në 76% të numrit të fermerëve që përfitojnë nga infrastruktura ujitëse kundrejt 70,3% që shënoi në vitin 2019 ky tregues.

Investimet vetëm në vitin 2020 rritjen në 72% sipërfaqen ujitëse ku fermerët kanë akses për ujë për ujitje, kundrejt sipërfaqes potencialisht të ujitshme (360 000 ha) nga 66,6% që është në vitin 2019.

Gjithashtu projektet e ndërmarra këtë vit rritën numrin e hidrovoreve të rehabilituara, ndërtuara, rikonstruktuara, kundrejt totalit të nevojshëm (14 hidrovorë) nga 21,4% në vitin 2019, në 36% në vitin 2020.

Ndërsa mirëmbajtja vjetore e rrjetit kullues arriti në 45 000 hektarë tokë.

Investime janë kryer edhe në vepra të mbrojtjes nga përmbytjet si (argjinatura gjatësore dhe panele tërthorë), kundrejt totalit të nevojshëm (300 km) nga 12% në vitin 2019, në 28% në vitin 2020.

/m.m/ e.xh//a.g/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.