Hapet thirrja e tretë për grante nga programi IPARD II/ Aplikimet nisin nga 10 dhjetori

TIRANË, 28 tetor /ATSH/ Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural njofton se, “fermerët dhe agrobiznesi nga data 10 dhjetor deri në 25 janar 2021, kanë afat për dorëzimin e aplikimeve për të përfituar grante nga thirrjen e tretë e programit IPARD II”.

Sipas urdhrit të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të botuar në Fletoren Zyrtare, aplikimet duhet të dorëzohen vetëm në zyrat qendrore të AZHBR-së në zarfe të mbyllura, me titullin “Thirrje për dorëzimin e aplikimeve”, së bashku me titullin e masës, emrin e plotë dhe adresën e aplikantit dhe me shënimin “Të mos hapet përpara dorëzimit”.

Sipas urdhrit të Ministrisë të Bujqësisë, aplikimet duhet të dorëzohen nëpërmjet dërgesës postare rekomande apo dorazi (duke përfshirë shërbimet me korrier) direkt në autoritetin kontraktues në këmbim të një mandati dorëzimi me firmë dhe datë nga Agjencia. Aplikimet e dërguara nëpërmjet çdo mënyre tjetër, si: faks, e-mail apo nga adresa të tjera do të refuzohen.

Udhëzuesi për aplikantët, lidhur me llojet e investimeve të pranueshme, kriteret e përzgjedhjes dhe rregullat e dorëzimit të aplikimeve, mund të kërkohet falas si në zyrat e Ministrisë së Bujqësisë dhe Agjencinë e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR) nga e hëna në të premte gjatë orëve të punës 08:00–16:30.

Programi IPARD është mbështetje financiare për bujqësinë dhe zhvillimin rural nga fondet e BE-së (75%) dhe qeverisë shqiptare (25%) dhe synon përmirësimin e standardeve të biznesit në bujqësi dhe agropërpunim, si dhe rritjen e konkurrencës, nëpërmjet modernizimit.

Skema e aplikimit për të fituar nga këto grante është vënë në zbatim me masa më të shtrënguara, sesa skema e mbështetjes kombëtare të financimit, gjë që kërkon informacione të plota dhe gjithëpërfshirëse nga fermeri shqiptar. Kriteret e aplikimit synojnë rritjen e ndërgjegjësimit të fermerit  për plotësimin e standardeve ligjore në përthithjen e fondeve. /a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.