FUTBOLL – Jep dorëheqjen presidenti i Barcelonës

BARCELONE, 28 tetor /ATSH-AA/ – Presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu dha dorëheqjen, pas kritikave për formën e dobët të klubit.

“Unë jam këtu sot për t’iu informuar për dorëheqjen time dhe atë të Bordit të Drejtorëve. Ky është një vendim i mirëkonsideruar, i qetë, konsensual dhe kolektiv nga kolegët e mi drejtorë të cilët më kanë shoqëruar gjatë viteve të fundit me përkushtim dhe besnikëri në lidhje me projektin dhe klubin dhe që kanë bërë kaq shumë sakrifica duke menduar gjithmonë për Barçën”, tha Bartomeu.

“Unë gjithmonë kam thënë se autokritika na bën më të fortë dhe se Barça gjithmonë ka dalë nga kohëra të vështira. Megjithatë, ajo që kemi përjetuar në muajt e fundit kalon përtej çdo kufiri. Na është treguar mungesë respekti, mua dhe anëtarëve tjerë të bordit tim. Jemi fyer, kërcënuar, unë dhe familja ime si dhe anëtarët tjerë të bordit”, shtoi ai.

Bartomeu ishte president i klubit që nga viti 2014.

Barcelona u mund nga Real Madrid 3:1 në ndeshjen e El Clasicos në fundjavë ndërsa Bartomeu ka qenë nën presion për shkak të krizës midis klubit dhe Lionel Messit i cili kërkoi të largohej nga klubi në verë.

Në deklaratën e tij, Bartomeu tha se klubi miratoi pranimin e kërkesës për t’u bashkuar me Superligën Europiane. /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.