Forumi shkencor për pandeminë COVID-19/ Gjinushi: Kjo sfidë ndryshoi rrënjësisht raportet mes politikës dhe shkencës

TIRANË, 28 tetor/ATSH/ Akademia e Shkencave organizoi sot forumin shkencor për pandeminë COVID-19 dhe përballimin e saj në Shqipëri dhe në botë.

Kjo konferencë zhvillohet në një kohë kur vendi ynë, mbarë njerëzimi, po përballen me problemet dhe pasojat e pandemisë së shkaktuar nga Coronavirusi i ri Sars-cov-2.

Kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi, theksoi në fjalën e tij se “ky rrezik global ka ndryshuar tashmë sjelljet njerëzore dhe mënyrën tonë të jetesës, duke diktuar deri praktika te tilla qe u bënë të detyrueshme një shekull më parë, si distancimi fizik, karantinimi dhe mbajtja e maskave”.

“Mbi të gjitha, kjo sfidë ndryshoi rrënjësisht programet dhe përparësitë e qeverive, institucioneve shëndetësore dhe të atyre të kërkimit shkencor; si dhe vetë raportet midis politikës dhe shkencës; midis institucioneve politikëbërëse dhe atyre të kërkimit dhe zbatimit të arritjeve shkencore; midis njerëzve të dijes e shkencës e atyre të politikës. Si rrallë herë zë i parë u bënë specialistët, ekspertët, profesorët e akademikët para politikanëve”, – nënvizoi Gjinushi.

Me shfaqjen e kësaj pandemie, vijoi Gjinushi, edhe Akademia e Shkencave bëri ndryshime në programin e veprimtarisë së saj, duke e vendosur ndjekjen e ecurisë së pandemisë si prioritet kryesor të strukturave të ngritura pranë saj, siç janë komisionet e specializuara, posaçërisht ai i mjekësisë; si dhe njësitë e reja të kërkimit e studimit, me qëllim që institucioni të luante rolin e tij dhe të ushtronte përgjegjësitë e veta në përballimin e situatës së krijuar nga COVID-19, sigurisht në bashkëpunim me strukturat shtetërore të specializuara dhe qendrat e tjera studimore e laboratorike.

Gjinushi e cilësoi krijimin e grupit ndërinstitucional pranë Akademisë, që u ngarkua të ndjekë problemet e pandemisë e të koordinojë trajtimin e problemeve të lidhura me të, me pjesëmarrjen e mbi 50 ekspertëve të shquar brenda dhe jashtë vendit, një hap të domosdoshëm për të bërë vlerësime shkencore për situatën, për të propozuar masa dhe veprime të dobishme, për të vlerësuar prirjet dhe për të formuluar zgjidhje parandaluese referuar pritshmërive./k.s./j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.