Forumi i nivelit më të lartë Ballkanik kundër Antisemitizmit sot në Tiranë

TIRANË, 28 tetor/ATSH/ Kuvendi i Shqipërisë me iniciativën e kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla organizon sot në Tiranë, Forumin e nivelit më të Lartë Ballkanik kundër Antisemitizmit.

Konferencës do t’i drejtohet me një fjalë edhe Sekretari Amerikan i Shtetit, Michael R. Pompeo, si dhe Presidenti i Parlamentit Europian, David Sassoli, si dhe personalitete të larta shtetërore nga vende të tjera.

Kjo konferencë realizohet në bashkëpunim me Robert Singer, i cili është kryetari i Lëvizjes për Luftën Kundër Antisemitizmit në Izrael.

Në dy sesionet e konferencës do të diskutohet mbi modelin unik shqiptar të bashkëjetesës fetare dhe eksperiencave më të mira për luftën ndaj antisemitizmit.

Kuvendi i Shqipërisë bën thirrje për një front të bashkuar në Ballkan kundër urrejtjes dhe fanatizmit etnik dhe fetar, duke ju referuar vlerës së patjetërsueshme të shoqërisë shqiptare, tolerancës dhe bashkëjetesës fetare.

Nëpërmjet miratimit të rezolutës, javën e shkuar, Kuvendi promovoi përkufizimin e aleancës ndërkombëtare të përkujtimit të holokaustit për antisemitizmin.

/m.m//a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.