COVID-19 – Mbi 500 000 raste në botë në 24 orët e fundit

PARIS, 28 tetor /ATSH-AFP/ – Mbi 500 000 raste të reja me COVID-19 janë njoftuar në botë gjatë 24 orëve të fundit, një rekord, sipas të dhënave të autoriteteve shëndetësore.

Në total, 516 898 infektime të reja janë regjistruar për 7 723 të vdekur. Kjo rritje e numrit të rasteve në botë shpjegohet pjesërisht nga rritja e numrit të testeve të realizuara që prej valës së parë të epidemisë mars-prill në botë.

Europa është kontinenti në të cilin pandemia po progreson shumë shpejt, me më shumë se 220 000 kontaminime të reja ditore gjatë shtatë ditëve të fundit, një rritje me 44% në raport me një javë më parë.

Ndërsa shumë vende po rivendosin masa të rrepta në përpjekje për të ndaluar këtë valë të dytë, rajoni po i afrohet mesatarisht 2 000 vdekjeve ditore. Në kulmin e parë të pandemisë në prill, u regjistruan më shumë se 4 000 vdekje ditore.

SHBA-ja po përballet gjithashtu me një rritje të numrit të rasteve të zbuluara. Ajo regjistroi për herë të parë më shumë se 500 000 kontaminime në një javë gjatë shtatëditëve të fundit, ndërsa 370 000 raste u njoftuan javën e kaluar.

Nga 500 000 raste të regjistruara në botë, më shumë se gjysma u raportuan në 10 vendet më të prekura, SHBA, Indi, Brazil, Rusi, Francë, Spanjë, Argjentinë , Kolumbi, Britani e Madhe dhe Meksikë./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.