COVID-19/ Brataj: Sistemi shëndetësor në gatishmëri të plotë, kemi trefishim të testimeve 

TIRANË, 28 tetor/ATSH/ Kreu i Urgjencës Kombëtare Mjekësore, Skënder Brataj theksoi sot se “numri i testimeve për COVID-19 është rritur. Po të krahasojmë qershorin me sot kemi gati trefishin e testimeve, ndërsa rritja e numrit të të prekurve ishte e pritshme në këtë periudhë”.

Në një intervistë televizive Brataj theksoi se “rastet po gjurmohen, testohen dhe izolohen në kohë. OBSH dhe shtetet fqinje po na tregojnë më së miri shembujt e tyre. Testo, gjurmo trajto, është formula e fillimi të epidemisë. Po të marrim shtimin e numrit, jemi në 1400-1500 teste. Bërja e testeve lidhet me kërkesat. Sot ka vatra. Ka transmetim komunitar. Pra ju s’e dini se nga e keni marrë infeksionin. Është rritur numri i kërkesave për tampon”.

Sa i përket rritjes së numrit të rasteve pozitive me COVID-19, Brataj tha se ishte e pritshme dhe brenda parashikimeve që kanë bërë ekspertët.

“Ne teknikët e kemi të vështirë të ndjekim hapat e politikës. Monitorimi bëhet çdo ditë dhe me çdo skenar. Skenarët janë bërë gati. Fakti që ne gjendemi akoma në skenarin e dytë, me COVID 2, s’mund të flasim për emergjencë, pasi nuk është. Ajo që po dëgjojmë kohët e fundit është; “katastrofë, vrasës, hajdut” që po dëgjojmë në mediet tona. Për shëndetin e njerëzve duhet të thuhet qartë realiteti. Është normale që janë rritur numrat. I kemi analizuar disa herë të gjitha shkaqet. E kishim thënë për valën që do të vinte në tetor. Është folur gjithmonë. Deri tani menaxhimi po bëhet me skenarin e dytë”, tha Brataj.

Duke ju përgjigjur akuzave Brataj ka thekuar se sistemi shëndetësor është në gatishëmri të plotë për përballimin e COVID-19 dhe ka nevojë për mbështetje, jo për negativizëm dhe akuza të pabaza.

“Është i mjaftueshëm personeli. Kemi nevojë për suport, jo për energji negative. Ekspertët merren me punën dhe s’dalin që të thonë “bëmë këtë, apo atë”. Nuk po bëhet as më pak e as më shumë se çfarë po bën bota. Po t’i kthehemi pandemive botërore, kjo është e fundit sa i takon vdekshmërive”, theksoi Brataj./k.s//a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.