Cakaj: Shqipëria do të vazhdojë pa kursyer asnjë përpjekje për t’u bërë anëtare e BE

TIRANË, 28 tetor /ATSH/ “Shqipëria do të vazhdojë pa kursyer asnjë përpjekje për t’u bërë një ditë anëtare e familjes së vendeve të Europës së bashkuar”.

Me ftesë të ministrit të Jashtëm të Gjermanisë, Heiko Mass, ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare “Të rinjtë, migracioni dhe sfidat demografike në Ballkanin Perëndimor”.

Gjatë diskutimit me ministrat e Jashtëm të Ballkanit Perëndimor, siç bën me dije kryediplomati Cakaj në një reagim, u theksua përkushtimi i fortë të Shqipërisë për të çuar përpara të gjitha reformat e nevojshme për anëtarësim në Bashkimin Europian, si çelës për t’i siguruar një perspektivë më të ndritshme shoqërisë shqiptare e rinisë në veçanti, pra zhvillimin e një jete në përputhje me standardet e Bashkimit Europian, në Shqipëri.

“Shqipëria, populli i të cilës mbështet në masë më shumë se 90% procesin e integrimit europian, natyrisht, do të vazhdojë pa kursyer asnjë përpjekje për t’u bërë një ditë anëtare e familjes së vendeve të Europës së bashkuar”, theksoi ministri në detyrë Cakaj.

Një çështje tjetër e diskutuar gjatë konferencës ishte liberalizimi i vizave për Kosovën, për të cilin Cakaj theksoi zëshëm se është një proces i stërvonuar dhe se, sipas tij, Bashkimi Europian duhet t’ju mundësojë sa më parë lëvizjen e lirë shtetasve të Republikës më të re të Europës. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.