Buxheti 2021 për Mbrojtjen/ 2.7 mld lekë më shumë ose 11.8% më i lartë se viti 2020

TIRANË, 28 tetor/ATSH/ Buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes për vitin 2021 kap vlerën e 2.7 miliardë lekëve, ose 11.8% më shumë se në vitin 2020.

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, gjatë një seance dëgjimore në Komisionit Parlamentar për Sigurinë Kombëtare, pranë kuvendit të Shqipërisë, të mërkurën në mëngjes, theksoi se për periudhën e Programit Buxhetor Afatmesëm 2021-2023, kërkesat buxhetore të hartuara nga Ministria e Mbrojtjes janë në përputhje me programet e Mbrojtjes dhe janë produkt i bashkëpunimit të strukturave të FA-së të të gjithë niveleve.

“Nëse për vitin 2020 kishim një buxhet sa 1.46 % e Produktit të Brendshëm Bruto, për vitin 2021 buxheti shkon në 1.5% të PBB, çka është në përputhje të plotë me objektivat dhe angazhimet tona në Samitin e Uellsit për ta çuar atë në 1.75% në vitin 2022, dhe 1.85% të PBB në buxhetin e vitit 2023”, – tha Xhaçka.

“Në terma nominalë, buxheti i vitit 2021 ka një rritje me rreth 2.7 miliardë lekë ose 11.8% krahasuar me planin e vitit 2020. Por sigurisht, fakti që buxheti është rritur tregon vetëm njërën pjesë të historisë. Sepse rritja e buxhetit, dhe arsyeja përse aleatët këmbëngulin në rritjen e buxhetit për të arritur eventualisht në 2% të PBB, nuk është një qëllim në vetvete. Mënyra sesi shpenzohen dhe produktet për të cilat përdoren këto para është thelbësore. E them këtë, sepse nëse shikojmë historikun e buxheteve të Ministrisë së Mbrojtjes – ata ndër ju që kanë kohë në këtë komision besoj janë në dijeni – është e qartë që shpesh herë buxhetet janë përdorur për gjithçka, përveçse për të çuar përpara angazhimet e prioritetet”, – tha Xhaçka më tej.

“Buxheti i mbrojtjes do të përdoret për mbështetjen e programeve të mbrojtjes të parashikuara për vitet 2021-2023, për të cilat janë hartuar kërkesat buxhetore për: Mbështetjen për personelin; Operacionet brenda dhe jashtë vendit dhe emergjencat civile; Gatishmëria dhe mirëmbajtja; Stërvitjet; Arsimimi dhe kualifikimi; Strukturat dhe angazhimet ndërkombëtare; Modernizimi; Infrastruktura; Mbështetja me mallra e shërbime dhe mbështetja administrative”, – tha Xhaçka.

Mandej, Ministrja e Mbrojtjes vuri në dukje se “ky buxhet mundëson, rritjen e trajtimit financiar përmes rillogaritjes së vështirësive dhe rikthimit të kompensimit të ushqimit për mbi 4 mijë efektivë të FA dhe të kompensimit ushqimor që u hoq nga qeveria Berisha në vitin 2013, vetëm pak ditë përpara se të dorëzonte pushtetin”. /a.a//r.e/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.