Bankat lehtësojnë standardet, kredia për individët u rrit në 5.1 miliardë lekë në fund të shtatorit

TIRANË, 28 tetor /ATSH/ Bankat lehtësuan standardet e kreditimit për individët në tremujorin e tretë të vitit 2020.

Sipas BSH-së, lehtësimi i standardeve u aplikua si për kreditë konsumatore, ashtu edhe për ato në blerjen e banesave. Në tremujorin e fundit të vitit, bankat presin t’i lehtësojnë më tej standardet e kreditimit për individët, kryesisht në kreditë konsumatore.

Standardet e kreditimit për individët u lehtësuan kryesisht nga treguesit e lidhur me perceptimin për rrezikun nga ana e bankave, të tilla si: rreziku më i ulët nga kolaterali; aftësia paguese e kredimarrësit; si edhe zhvillimet aktuale e të pritura në tregun e banesave.

Po ashtu, bankat treguan një tolerancë disi më të lartë ndaj rrezikut për kreditë dhënë individëve këtë tremujor. Faktorët e tjerë u raportuan të pandryshuar nga një tremujor më parë.

Kredia për individët u rrit në vlerën 5.1 miliardë lekë në fund të shtatorit. Ashtu si tek biznesi edhe tek individët vërehet një tendencë e rritje e kredisë konsumatore dhe për blerjen e banesave.

Kredia e individëve për blerje banesash preku vlerën e 2.7 miliardë lekëve, ose rreth 22 milionë eurove. /a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.