“Askush nga ne nuk dëshiron mbylljen”/ Fico: Situata nën kontroll, pavarësisht rritjes së rasteve

TIRANË, 28 tetor/ATSH/ Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico deklaroi sot se situata e pandemisë së COVID-19 është nën kontroll dhe ka një vëmendje dhe aksion të shtuar nga të gjitha trupat dhe autoritetetet shëndetësore.

Duke folur në lidhje me situatën aktuale të krijuar prej pandemisë Covid-19, Fico theksoi se gjërat janë nën kontroll pavarësisht rritjes së rasteve ditore. Ajo ka shtuar se ka një ndërgjegjësim më të madh te qytetarët e moshës së tretë sa i përket mbajtjes së maskës.

“Flasim për një valë dytësore dhe jo një valë të dytë, sepse nga pikëpamja epidemiologjike duhet të ketë një fund të valës së parë për të folur për një valë të dytë. Situata është nën kontroll. Kemi shtim të infeksioneve që është reflektuar edhe me rritje të numrit të personave të shtruar në spital dhe rritje të personave që po marrin shërbim në terapi intensive. Situata e pandemisë së COVID-19 është nën kontroll dhe ka një vëmendje dhe aksion të shtuar nga të gjitha trupat dhe autoritetetet shëndetësore”, deklaroi Fico.

Lidhur me vendimin për mbajtjen e maskave me detyrim edhe në ambientet e jashtme, Fico tha se efekti i saj do të shikohet në 4 deri në 6 javë. Të mos harrojmë që njëherazi qytetarët janë shumë të ndërgjegjësuar sa i përket distancimit dhe mbajtjes së maskës”, tha Fico.

Ajo bëri të ditur se qytetarët e moshës së tretë po zbatojnë me rigorozitet masat dhe ka një rezultat të mirë te kjo kategori. “Kjo është një provë që na lejon ta përdorim me mirësi për t’u thënë të gjithëve ja ku kemi prindërit dhe gjyshërit tanë që duke respektuar masat kanë më pak sëmundshmëri dhe më pak vdekje”, u shpreh Fiço.

Sa i përket rikthimit të karantinës Fico shtoi se kjo nuk mund të përcaktohet paraprakisht pasi varet nga ecuria e situatës së pandemisë dhe se sa qytetarët i zbatojnë masat.

“Kjo është një sëmundje që ka një dinamikë që s’mund të bësh parashikime që të na thotë çdo të ndodhë nesër. Duke pasur një rritje të numrit të infeksioneve, ne mund të themi që masat që kemi marrë po të zbatohen rigorozisht, kjo do të na lejojë që të kapërcejmë këtë moment shumë më mirë. Nëse do dekurajohemi nga vështirësia në të cilën na vuri pandemia, do të jetë shumë e vështirë. Askush nga ne nuk dëshiron një mbyllje. Kjo çështje s’ka të bëjë vetëm me shëndetin, por edhe me gjendjen emocionale. Nuk besoj se është dikush që do të thotë në çfarë niveli mund të mbyllet por do të sjellë në vëmendje faktin që të gjithë punëdhënësit që kanë mundësi t’i lënë punonjësit të punojnë nga shtëpia pse të mos e bëjnë. Të mbajmë maska, të ruajmë distancimin dhe të shkojmë te mjeku në rast se kemi shenja. Kjo do të na bëjë të jemi më të aftë që të kufizohemi sa më pak”, tha ajo. /a.gjonaj/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.