VIDEO/ Deklaroi se “Sami Frashëri” do ndërtohet në Paskuqan, Veliaj-Kryemadhit: Mos gënje, do ndërtohet aty ku është

TIRANË, 27 tetor/ATSH / Edhe pse ka filluar puna për pastrimin e sheshit dhe javën tjetër pritet të nisin punimet, kjo s’e ka penguar kryetaren e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhin, që të deklarojë në emisionin “Opinion”, se gjimnazi “Sami Frashëri” në Tiranë do të ndërtohet në Paskuqan.

Bashkia e Tiranës ka reaguar duke e cilësuar të lajmin jo të vërtetë. I menjëhershëm ishte edhe reagimi i kryebashkiakut, Erion Veliaj. Përmes një mesazhi, drejtuar gazetarit Blendi Fevziu, ku dhe ishte e ftuar Kryemadhi, Veliaj u shpreh se, “shkolla “Sami Frashëri”, do të ndërtohet aty ku ka qenë, dyfish më e madhe. Madje, Veliaj bëri të ditur se puna për pastrimin e sheshit ka nisur dhe javën tjetër do nisin edhe punimet.

Gjatë emisionit, drejtuesit Bledi Feziu lexoi mesazhin e dërguar nga Veliaj. “Zonja Kryemadhi, kryetari i bashkisë së Tiranës thotë që shkolla “Sami Frashëri” do ndërtohet ku ka qenë, 2 herë më e madhe. Ka nisur edhe hapja e sheshit dhe javën tjetër ju fton në nisjen e punimeve. Faleminderit i thuaj Monikës thotë që sapo na dhuroi spotin e fushatës me një gënjeshtër spektakolare të Samiut në Paskuqan”, – tha Fevziu, duke iu referuar mesazhit të kryebashkiakut Veliaj.

Gjatë emisionit televiziv, kryetarja e LSI Monika Kryemadhi tha mbrëmjen e djeshme se oborri i shkollës “Sami Frashëri” do t’ju kthehet pronarëve dhe do të ndërtohet pallat, ndërsa gjimnazi do të spostohet në Paskuqan.

“Të hetojnë një çikë për shkollën “Sami Frashëri” se kam dijeni që sheshi i shkollës i është kthyer pronarëve dhe shkolla “Sami Frashëri” do të shkojë në Paskuqan. Ka nisur në Paskuqan një shkollë e re”, deklaroi Kryemadhi.

/a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.