Venecia i përgjigjet Metës për Kodin Zgjedhor: Jo me procedurë urgjente, opinioni në dhjetor

TIRANË, 27 tetor/ATSH/ Presidenti i Komisionit të Venecias, Gianni Buquicchio përmes një letre i ka kthyer përgjigje kërkesës së presidentit Ilir Meta për dhënie opinioni për ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

“I nderuar z. President,

Në përgjigje të letrës suaj të datës 21 tetor 2020, me të cilën ju kërkoni një mendim urgjent “për procesin e ndryshimit të njëanshëm dhe të përshpejtuar të Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë”, kam nderin t’Ju informoj se Byroja e Komisionit ka vendosur, nën dritën e kohës së shkurtër të mbetur para seancës së ardhshme plenare dhe të ndërlikueshmërisë së çështjes, të mos autorizojë procedurën urgjente.

Si rrjedhojë, opinioni do të përgatitet në procedurën e zakonshme dhe do t’i paraqitet seancës plenare për shqyrtim dhe miratim në dhjetor. Sipas praktikës sonë, ky opinion në parim do të hartohet së bashku me ODIHR.

Shfrytëzoj këtë rast për t’Ju falënderuar edhe një herë për besimin tuaj në Komisionin e Venecias”.

/m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.