SUEDI – Publikohen mijëra dokumente të ndjeshme pas një rrjedhjeje të dhënash

STOKHOLM, 27 tetor /ATSH-AFP/ – Një grup suedez, i specializuar në portalet e hyrjes së sigurt pranoi sot të ketë qenë viktimë e një vjedhjeje të madhe të të dhënave të ndjeshme, që lidhen veçanërisht me sigurinë e Parlamentit suedez dhe bankave europiane, sipas shtypit.

“Ne kemi pasur vjedhje të të dhënave”, theksoi për të përditshmen ”Dagens Nyheter” (DN), Stefan Syren, drejtuesi i grupit ”Gunnebo”.

Kompania, e cila operon në të gjithë botën, numëron mes klientëve centrale bërthamore, spitale dhe aeroporte.

“Një total prej 19 gigabajt informacione dhe rreth 38 000 skedarë u vodhën nga një ose më shumë hakera në gusht”, sipas DN.

”Të gjitha këto informacione ndodhen në internet”, shton e përditshmja.

Midis dokumenteve të vjedhura bëjnë pjesë detajet për mbrojtjen e Parlamentit suedez,  planet për kasafortat e të paktën dy bankave gjermane dhe të tjera që tregojnë sisteme alarmi dhe kamera vëzhgimi në një degë të bankës SEB në Suedi.

Përveç kësaj, planet konfidenciale të zyrës së re të Agjencisë Suedeze të Taksave në periferi të Stokholmit u vodhën gjithashtu.

Kjo ndërhyrje u raportua në fund të gushtit në agjencinë e brendshme suedeze të inteligjencës dhe antiterrorizmit (Säpo).

“Ne mund të spekulojmë vetëm për qëllimin e sulmit, por pasi nuk mund të përjashtohet që të jetë një përpjekje për spiunazh industrial, prandaj kemi (…) raportuar atë që ndodhi në Säpo”, deklaroi Stefan Syren, cituar në një komunikatë.

Asnjë detaj mbi përmbajtjen e dokumenteve të shënjestruara nga sulmi nuk ishte publikuar dhe kompania theksoi sot se nuk ishte në dijeni në kohën e rrjedhjeve të mundshme./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.