Shtetësitë e dhëna nga Meta/ Hyseni: Kemi nisur proces verifikimi në Komisionin e Sigurisë

TIRANË, 27 tetor /ATSH – I. Vata/  Deputeti i PS-së, Alket Hyseni deklaroi sot se Komisioni i Sigurisë sapo ka nisur një procedurë, nisur dhe nga denoncimi në media, për dhënien e shtetësisë një shtetasi kosovar nga Presidenti i Republikës.

Hyseni, i ftuar në Report Tv sqaroi momentin e procedurave për dhënie shtetësie.

“Nga momenti që merr shtetësinë, shtetasi i huaj fiton të drejta dhe detyrime  mjaft të rëndësishme që nuk mund të kalojnë pa vëmendje dhe për këtë arsye i gjithë procesi kalon nga filtra institucionale. Procesi është shkelur me të  dyja këmbët, sepse procesi  ka tejkaluar rregullin sepse përjashtimi është bërë rregull e rregulli është bërë përjashtim. Forma normale e fitimit të shtetësisë është forma e përcaktuar në nenin 9 që kushdo që bënë kërkesën duhet të plotësojë një sërë kriteresh: moshën 18 vjeç banimin në Shqipëri jo më pak se 5 vite, pastaj të ketë banesë dhe të ardhura të mjaftueshme, të mos jetë i dënuar për krimet të cilat dënohen më me tepër se 3 vite, të njohë gjuhën shqipe dhe një kriter bazë është kriteri i sigurisë kombëtare, pra të mos krijojë probleme me sigurinë kombëtare. Ky proces normal kalon me dorëzimin e kërkesës në institucionet shqiptare dhe filtrimin nga Ministria e Brendshme dhe SHISH, Prokuroria dhe Gjykata. Në përfundim i përcillet Presidentit për aktin solemn fundor”, tha ai.

Në lidhje me çfarë dokumentesh ka paraqitur shtetasi kosovar dhe respektimin e procedurës nga ana e Presidentit, Hyseni shtoi se Komisioni i Sigurisë sapo ka nisur një procedurë nisur dhe nga një denoncim nga një gazetar që ka nxjerr në pah një element që është i rrezikshëm për shtetformimin dhe këtë fakt e tregon acarimi i skajshëm i Presidentit të Republikës.

“Kur kërcet dhëmbët presidenti tregon se është në momentet më të vështira, prandaj unë besoj se verifikimi nuk është bërë sepse institucioni i presidentit nuk mund ta verifikojë dhe kështu ka funksionuar që nëpërmjet qokave, nëpërmjet bisedave në kafene  e restorante, nëpërmjet takimeve informale janë kërkuar ndere të tilla dhe pa iu drejtuar institucioneve janë bërë veprime ekstra ligjore të cilat sjellin këtë derexhe”, u shpreh Hyseni. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.