Ruçi pret Ambasadorin al-Jassim/ Mirënjohje Kuvajtit për ndihmën ndaj Shqipërisë

TIRANË, 27 tetor /ATSH/ Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, priti sot ambasadorin e Kuvajtit, Fayez Mishari al-Jassim, me rastin e përfundimit të mandatit të tij në Shqipëri, njoftoi zyra për shtyp e Kuvendit.

Kryetari i Kuvendit, Ruçi, e falënderoi ambasadorin al-Jassim për kontributin në marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet dy vendeve, dy parlamenteve dhe dy qeverive, dhe shprehu mirënjohjen për kontributin e Emirit, qeverisë, shoqatave humanitare dhe e popullit kuvajtian në ndihmën ndaj Shqipërisë, sidomos në rastin e fatkeqësive natyrore në përgjithësi, si dhe në veçanti në atë tërmetit të 26 nëntorit, në mbështetje të familjeve të prekura nga tërmeti.

Ruçi shprehu dëshirën për të forcuar e thelluar marrëdhëniet dhe bashkëpunimin dypalësh në të gjitha fushat, si edhe zgjerimin e intensifikimin e bashkëpunimit ndërparlamentar.

Ambasadori Fayez Mishari al-Jassim vuri në dukje se mandati i tij në Shqipëri ishte i suksesshëm, edhe në saj të kontributit të institucioneve shqiptare dhe popullit shqiptar dhe theksoi se Kuvajti do të vijojë të fuqizojë e zgjerojë bashkëpunimin me Shqipërinë. /a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.