Riatdhesimi i shqiptarëve nga kampet e Sirisë/ Drejtori operacional i Antiterrorit: Janë vendosur ura komunikimi për rikthimin e të tjerëve

TIRANË, 27 tetor/ATSH-Maela Marini/ Indrit Dodaj, drejtor operacional i antiterrorit foli sot lidhur me situatën e shqiptarëve në kampin e Sirisë, duke deklaruar se “përveç riatdhesimit sot të 4 fëmijëve dhe një gruaje janë vendosur ura komunikimi për rikthimin e të tjerëve”.

I ftuar në një studio televizive, Dodaj tha se “Konsulli i Shqipërisë në Liban ka koordinuar me të gjithë aktorët”.

“Ai ka mundësuar takimet me autoritetet e larta të shtetit libanez, me autoritete të Sirisë dhe autoritete të vetëadministrimit të Sirisë verilindore. Kanë kontaktuar edhe përfaqësues shpirtëror, një person me ndikim në Siri që është Patriarku Gjoni X,edhe ai ka pasur një rol goxha pozitiv. Ai ka pasur një rol shumë të madh i kontaktuar nëpërmjet Konsullit”, tha Dodaj.

Ai theksoi se “mënyra se si do të zhvillohet apo koha se si do të zhvillohet hetimi është tjetër gjë dhe nuk mund të jap detaje se si do të operohet”.

“Ne do të punojmë deri kur t’i shkojmë në fund operacionit. Operacioni nuk ka përfunduar sot, sot ka përfunduar një fazë shumë e rëndësishme e këtij operacioni që ka të bëjë me kthimin e personave, por edhe me vendosjen e e urave të komunikimit”, tha ai.

Dodaj u shpreh se “personat atje fizikisht gëzojnë shëndet të plotë”. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.