Riatdhesimi i 4 fëmijëve dhe gruas nga kampi në Siri/ Nano: 5 javë e 2 ditë në mision për t’i kthyer në Shqipëri

TIRANË, 27 tetor /ATSH – I. Vata/ Drejtori i Antiterrorit, Gledis Nano, tha sot i ftuar në një emision televiziv se ka qëndruar në misionin e riatdhesimit të 4 fëmijëve dhe gruas që mbërritën sot në Shqipëri nga kampi në Sirim për 5 javë dhe 2 ditë.

“Ne kemi shkuar më 20 shtator në Liban nën drejtimin e ministrit të  Brendshëm. Shkuam për një vizitë për të bërë disa takime atje në lidhje me këtë proces. Shkuam në Liban sepse kemi dhe konsullin tonë atje dhe do të  bënim të mundur të gjitha hapat e tjerë të operacionit në koordinim me bashkëpunimin e sigurisë libaneze”, u shpreh Nano.

“Pasi zhvilluam takimet paraprake me sigurinë e përgjithshme atje vendosem që bashkë me  kolegun Indrit Doda të qëndronim në Liban për të ndjekur  e vazhduar pjesën e bisedimeve, negociatave dhe punës që të bënim në lidhje me dokumentacionin dhe kemi qëndruar 5 javë dhe 2 ditë. Ne kemi qenë në Liban dhe pastaj kemi shkuar në Siri”, rrëfeu Nano.

Ai tregoi se kampi Al Howl nuk ka asnjë evidencë kush është në kamp dhe ku ndodhet, pasi në kamp janë 70 mijë njerëz të vendosur në çadra.

Ai tregoi se kishin të dhëna për vendndodhjen e çadrave të shtetasve shqiptarë në këtë kamp, por ndërkohë një pjesë e shqiptarëve ishin larguar nga këto tenda.

Nano tha se janë identifikuar dhe 4 familje të tjera. “Të gjithë ato familje janë transferuar në kapin Rozh me kërkesën tonë dhe transferimi është bërë nga autoritete lokale dhe janë transferuar në këtë kamp sepse ka siguri më të madhe dhe me kushte akoma më të mira”, u shpreh ai.

/j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.