Programi i përkujdesit social/ Punësim për 900 persona nga grupet e pafavorizuara

TIRANË, 27 tetor/ATSH/ Numri i familjeve dhe individëve në nevojë që pritet të përfitojnë nga skema e ndihmës ekonomike parashikohet të jetë mesatarisht 66 mijë përfitues në vit përgjatë periudhën 2021-2023.

Në projektbuxhetin e vitit 2021 përcaktohet se në fushën e mbrojtjes sociale, ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale synon zbatimin me sukses të reformës së programit të përkujdesit social në tre shtyllat kryesore të tij, ndihma ekonomike, paaftësia e kufizuar dhe shërbimet sociale.

Sipas p/buxhetit, numri i përfituesve nga paaftësia e kufizuar dhe kujdestarëve të tyre parashikohet të shkojë nga 172 mijë në vitin 2021 në 174 mijë në vitin 2023.

Ndërkohë, prioritet është edhe mbështetja e personave nga grupet e pa favorizuara përmes punësimit në ndërmarrjet sociale.

Gjatë periudhës 2021-2023, parashikohet të punësohen rreth 900 persona, nga ku 250 persona në vitin 2021, 300 persona në vitin 2022 dhe 350 persona në vitin 2023.

Gjithashtu, krijimi i fondit social synon mbështetjen e njësive të vetëqeverisjes vendore për ofrimin e 20 shërbimeve të reja sociale territoriale për grupet në nevojë dhe mbështetjen e familjeve të ndihmës ekonomike me paketa sociale shëndetësore.

“Implementimi i reformës do të sjellë rritjen mbi 80% të numrit të përfituesve të varfër që marrin ndihmë ekonomike mbi totalin e aplikuesve, rritjen mbi 57% të numrit të personave me aftësi të kufizuar që janë komisjonuar përmes sistemit te menaxhimit të informacionit, rritjen mbi 12% të numrit të përfituese të grave kryefamiljare që marrin ndihmë ekonomike mbi totalin e aplikuesve gra kryefamiljare, si dhe rritjen me më shumë se 66 e numrit të grave dhe vajzave në nevojë të riintegruara pas trajtimit në institucionet e përkujdesit social”, përcaktohet në p/buxhet. /a.gjonaj//a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.