Prodhim e shitje narkotikësh/ OFL u dërgon kërkesën e vetëdeklarimit të pasurisë 4 shtetasve

TIRANË, 27 tetor/ATSH/ Vijon pa ndërprerë Operacioni Forca e Ligjit, në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020. Gjatë 24 orëve të fundit OFL, u ka dërguar katër të dënuarve për vepra të rënda penale formularin e vetëdeklarimit të pasurisë.

Në njoftimin e publikuar të martën nga Policia e Shtetit, OFL, në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve: N. Q., banues në Përmet, i dënuar për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”; Ç. (N.) I., banues në Gjirokastër, i dënuar për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”; A. A., banues në Gjirokastër, i dënuar për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”; E. N., banues në Gjirokastër, i dënuar për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”.

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special. /a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.