Operacioni i riatdhesimit nga kampet në Siri/ Drejtori i Antiterrorit: Presim vetëm procedurat për misionin tjetër


TIRANË, 27 tetor/ATSH/ Drejtori i Antiterrorit në Policinë e Shtetit, Gledis Nano, pas kthimit në atdhe të katër fëmijëve dhe një gruaje nga kampi Al Hawl, u shpreh sot se “presin vetëm kryerjen e procedurave për të udhëtuar për misionin tjetër të riatdhesimit”.

Në një prononcim për mediet nga aeroporti “Nënë Tereza”, Nano tha ka disa detaje që nuk mund të bëhen publike, duke u ndalur tek emocionet e përjetuara, jo vetëm si punonjës policie, por edhe si baba për të shpëtuar jetën e 4 fëmijëve.

“Patjetër që do të rikthehemi në Al Hawl, po presim vetëm kryerjen e procedurave për të udhëtuar për misionin tjetër”, tha ai.

Nano tha se nuk mund të jepte një datë se kur do të kryhej ky operacion pasi askush nuk e di.

“Edhe këtë radhë ne shkuam me Ministrin e Brendshëm për një vizitë në Liban për të diskutuar për këtë operacion, dhe siç e patë edhe ju, shkuam për 4 ditë dhe qëndruam 5 javë. Asnjë gjë nuk mund të parashikohet”, tha ai.

Drejtori i Antiterrorit në Policinë e Shtetit theksoi se ka edhe një problematikë tjetër, që është fakti se në Liban situata nuk është aq e lehtë.

“Ka mbi 1500 raste ditore të testuar pozitivë me korona në Liban. Po ashtu edhe në territorin e Sirisë. Kështu që përveç problematikës së sigurisë kishim edhe këto problematika të tjera të cilat duheshin pasur në konsideratë dhe na kanë detyruar të ecim me avash për këtë fazë të operacionit”, tha Nano. /m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.