“OFL të nisë hetimet për pronat e dhëndrit të Berishës”/ Balla: Grabiti kompleksin Partizani, me 35 mijë lek u bë pronari i pallateve mbi 20 milion euro

TIRANË, 27 tetor/ATSH / Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla deklaroi se Forca e Ligjit nuk mund të vonojë hetimin e pasurive të vendosura nga korrupsioni, ndikimi i paligjshëm dhe abuzimet me pasuritë e shqiptarëve.

Balla thekson se, “fillimi i hetimeve të pavarura për ish-kompleksin “Partizani”, privatizimin e tij me një vlerë qesharake sa një hyrje apartamenti 2+1 në atë zonë, ushtrimin e ndikimit të paligjshëm, shpërdorimin e detyrës së zyrtarëve të përfshirë dhe vepra të tjera penale. Sa pronarë të ligjshëm ka në Shqipëri që nuk u janë kthyer pronat e tyre, ndërkohë që Sali Berisha i dha këtë superpronë dhëndrit të tij?”.

Balla e ka denoncuar që në vitin 2012 grabitjen e kompleksit “Partizani”, duke përvetësuar ndërtesat dhe fushat e futbollit në qendër të Tiranës.

“Pas shtatë vitesh grabitësit hoqën maskat dhe vetëm me 35 mijë lekë familja e Sali Berishës është tashmë pronare e 1/3 e një kompleksi prej 20 milionë eurosh.
Asokohe qeveria e Sali Berishës e privatizonte kompleksin “Partizani” tek disa persona të përfaqësuar nga dhëndri i tij Jamarbër Malltezi. Në kohë rekord nga tetori i vitit 2008 deri në dhjetor të atij viti Ministria e Mbrojtjes e drejtuar nga Arben Imami, anëtar i qeverisë së vjehrrit të Malltezit, përfundoi të gjitha procedurat për kalimin e pronësisë së tokës dhe shitjen e hotelit gjigant dhe ndërtesave me 100 milionë lekë të vjetra”, deklaron Balla.

Ai shton se “këtë akt të rëndë korruptiv në atë kohë e kam denoncuar për disa javë rresht, duke publikuar të gjithë dokumentacionin. Madje m’u desh të përballem me Salinjtë edhe në Gjykatë për këtë dosje korruptive”.

“Në Qendrën Kombëtare të Biznesit, Jamarbër Malltezi është shtuar si aksioner me 35 % tek kompania “Homeplane” në dhjetor të vitit 2018, me kontribut 35 mijë lekë. Jamarbër Malltezi i ka blerë këto aksione në 23 janar të vitit 2014, pra shumë më herët sesa regjistrimi në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Ai nuk e ka regjistruar kontratën në QKB, për të qëndruar i fshehur si ndërtues. Kompania “Homeplan” në bashkëpunim me “Kontakt” kanë aplikuar për një leje zhvillimore për ndërtimin e një kompleksi pallatesh, tek zona e ish-kompleksit Partizani, pas Inxhinierisë së Ndërtimit. Leja zhvilliore është zbardhur nga Bashkia e Tiranës me firmën e Lulezim Bashës më 18 gusht 2013 dhe vetëm pas 6 muajsh pas nisjes së punimeve, Jamarbër Malltezi futet si aksioner i këtij pallati ndërtimi. Në këtë mënyrë nga një pronë prej 144 metrash tokë, Jamarbër Malltezi u bë pronar i më shumë se një të tretës të një kompleksi pallatesh me vlerë mbi 20 milionë euro. Kaq e thjeshtë ishte që nga një grabitje e kompleksit “Partizani”, sot berishët me dhëndurë e kompani janë supermilionerë në mënyrë të paligjshme”, deklaron Balla. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.