Ndryshimet në Kodin Zgjedhor/ Meta kërkesë Kuvendit: Merrni për bazë Opinionin e Venecias

TIRANË, 27 tetor /ATSH/ Presidenti i Republikës, Ilir Meta i ka nisur sot një kërkesë Kuvendit të Shqipërisë për të marrë për bazë Opinionin e Komisionit të Venecias.

Pas kthimit të ndryshimeve të Kodit Zgjedhor në Kuvend, Meta iu drejtua me një kërkesë Komisionit të Venecias duke kërkuar një opinion.

Në kërkesën drejtuar Komisionit të Venecias, Meta shprehet se “miratimi i njëanshëm dhe i nxituar i ligjeve themelore që rregullojnë jetën e vendit siç janë Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor, ka potencialin për dëmtimin e procesit zgjedhor dhe funksionimin e institucioneve demokratike në vend”.

Presidenti i Republikës, u shpreh se, “pas paraqitjes së një kërkese zyrtare të Opozitës së Bashkuar dhe në funksion të shmangies së një krize tjetër zgjedhore në Shqipëri, për të kontribuar në legjitimitetin dhe besueshmërinë e procesit zgjedhor, me qëllim që të sigurohen standardet minimale ndërkombëtare për zgjedhje të lira dhe të ndershme, veçanërisht në një situatë ku sistemi i kontrollit dhe balancës është totalisht jofunksional, i prirur drejt autoritarizmit, u drejtohet praktikave të mira të Komisionit të Venecias me një kërkesë për të dhënë në kushte urgjente një Opinion për 8 pyetje”.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.