Ndryshimet në Kodin Zgjedhor/ Komisioni i Ligjeve rrëzon dekretin e Presidentit

TIRANË, 27 tetor /ATSH/ Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, rrëzoi sot dekretin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, për ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

Nën drejtimin e kryetarit Ulsi Manja Komisioni shqyrtoi dhe më pas rrëzoi me 15 vota kundër dhe vetëm 2 pro dekretin e Presidentit të Republikës “Për kthimin e ligjit nr. 118/2020 ‘Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10019, datë 29.12.2008, ‘Kodi zgjedhor i Republikës së Shqipërisë’, i ndryshuar’”.

Relatori Adnor Shameti tha se, “konstatoj se argumentet e Presidentit nga pika 1 deri në pikën 12, janë argumente që nuk kanë lidhje me Kodin Zgjedhor, por opinione të Presidentit me karakter më së shumti politik dhe mënyrën sesi Presidenti e percepton ose dëshiron ta perceptojë situatën politike dhe veprimtarinë e institucioneve në vend”.

Ai shtoi se, Komisioni i Ligjeve ka detyrë të shqyrtojë vetëm argumentet e presidentit vetëm për çështjet që kanë të bëjnë me ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

“Argumentet në thelb i referohen më shumë mos dakordësisë së presidentit për ndryshimet kushtetuese të 30 korrikut 2020 sesa ato të Kodit Zgjedhor të miratuara në Kuvend në 5 tetor 2020”, tha Shameti.

Duke iu përgjigjur argumentit të Presidentit se ligji përkeqëson pozitën e partive të vogla dhe shkakton diskriminim, Shameti tha se, “pragu kombëtar është në përputhje me standardet e mira në zgjedhje dhe nuk shkakton diskriminim. Në disa sisteme zgjedhore pragu përcaktohet me ligj në mënyrë artificiale. Ky njihet si pragu ligjor ose artificial. Partitë që nuk marrin numrin minimal të votave të përcaktuara me ligj nuk marrin asnjë vend. Shtetet me prag zgjedhor ndryshojnë sipas përqindjes së zgjedhur. Për shtetet anëtare të Komisionit të Venecias ky diapazon është midis 0.67%, më i ulëti në Holandë deri në 10% që është më i larti në Turqi”.

Në lidhje me argumentat e Presidentit ilustruar në numrin e ndryshëm të votave që mund t’i duhen subjekteve politike për të fituar mandat deputeti në qark, Shameti tha se, “neni përkatës i ligjit ka marrë për bazë pikën 2 të Kodi të Praktikave të mira në zgjedhje të Komisionit të Venecias. Edhe në Kodin aktual në fuqi situata paraqitet e njëjtë dhe nuk ka pasur kundërshtime nga asnjë subjekt”.

Shameti shtoi se argumentat e paraqitura në dekret nuk kanë asnjë bazë kushtetuese. Ai ftoi deputetët që të votojnë kundër dekretit.

Ndërsa kreu i Komisionit, Ulsi Manja u shpreh se, “referuar kodit të praktikave të mira të Venecias për çështjet zgjedhore, elementët thelbësor të një sistemi zgjedhor, kanë të bëjnë me një sistem zgjedhor në radhë të parë dhe Shqipëria ka sistem zgjedhor proporcional rajonal të paprekur, siç është përcaktuar në Kushtetutë dhe ligj zgjedhor. E dyta, janë zonat zgjedhore që me ndryshimet në Kodin zgjedhor nuk janë prekur, do të kemi përsëri 12 zona zgjedhore. Element thelbësor i sistemit sipas praktikave të Venecias është numri i mandateve për çdo zonë zgjedhore, e cila nuk është prekur. Element thelbësor të sistemit janë Komisionet e administrimit të procesit zgjedhor që nuk janë prekur, pra Shqipëria do të ketë të njëjtin administrim të procesit zgjedhor siç e kishim”.

Po ashtu, shtoi Manja “edhe shpërndarja e mandateve nëpërmjet forcave politike apo subjekteve zgjedhore që do të garojnë në zgjedhje nuk është cenuar. Dhe një element i rëndësishëm i sistemit që nuk është prekur, madje ka përmirësuar standardin e trajtimit është procesi i ankimimit të subjekteve zgjedhore pasi del rezultati”. /a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.