Mosmbajtja e maskave në ambientet publike/ 621 masa administrative në 24 orët e fundit

TIRANË, 27 tetor/ATSH/ Gjatë 24 orëve të fundit Policia e Shtetit ka ndëshkuar me gjobë 621 qytetarë me masën 3.000 lekë secili për mosmbajtjen e maskës.

Në njoftimin për shtyp Policia e Shtetit, njofton se “krahas përmbushjes së detyrave funksionale për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, strukturat e Policisë kanë vijuar kontrollet në terren në të gjithë vendin, për të monitoruar zbatimin e masës së re për parandalimin e përhapjes së COVID-19, mbajtjen e detyrueshme të maskës mbrojtëse, e cila është detyrim për të gjithë qytetarët, që në momentin që dalin nga shtëpia”.

“Në zbatim të masave antiCovid, gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin, nga Patrullat e Përgjithshme dhe ato të Policisë Rrugore janë ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë, 621 qytetarë që janë konstatuar pa maskat mbrojtëse. Në Gjirokastër është ndëshkuar me masë administrative 700.000 lekë, një 41-vjeçar nga Mallakastra, i cili ka tentuar të kalojë në pikën e kalimit kufitar Kakavijë, duke qenë i infektuar me COVID-19”, thekson Policia.

Sipas policisë, në Elbasan është ndëshkuar me masë administrative 1 milion lekë shtetasi P. N., pasi në lokalin në pronësi të tij, në Hotolisht, Librazhd, ka organizuar një ceremoni martesore, në kundërshtim me masat antiCovid. Në Durrës është ndëshkuar me masën 5.000 lekë, një 21-vjeçar, pasi është konstatuar përsëritës i mosmbajtjes së maskës, herën e parë në rrugë dhe herën e dytë në një automjet, me drejtuesin e të cilit nuk kishte lidhje familjare.

Gjithashtu, është ndëshkuar më masë administrative 1 milion lekë shtetasi E. B., pasi ka mbajtur hapur lokalin në pronësi të tij, në lagjen nr. 7, Korçë dhe ka vendosur muzikë pas orës 20:00 në kundërshtim me Aktin Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020.

Gjithashtu, gjatë kontrolleve janë shoqëruar në ambientet e Policisë në të gjithë vendin, 11 shtetas që nuk kanë pranuar t’i tregojnë punonjësve të Policisë dokumentin e identifikimit apo nuk e kanë pasur atë me vete, të cilët pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit, janë ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë dhe më pas janë lënë të lirë. /a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.