Mbrojtja civile/ 500 milionë lekë në projetkbuxhetin e 2021 për njësitë e vetëqeverisjes vendore

TIRANË, 27 tetor/ATSH/ Në buxhetin e vitit 2021, njësive të vetëqeverisjes vendore u është akorduar një fond për mbrojtjen civile prej 500 milionë lekë.

Në relacionin që shoqëron projektbuxhetin e vitit 2021, bëhet e ditur se ky fond është shpërndarë me një formulë, e cila bazohet në peshën specifike që zë buxheti i çdo bashkie ndaj totalit të buxhetit të të gjitha bashkive.

Pjesën tjetër të fondit, sipas ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, bashkitë mund ta sigurojnë nëpërmjet përdorimit të fondit rezervë dhe të kontigjencës ose/dhe pjesë nga buxhetet e tyre (transferta e pakushtëzuar dhe të ardhurat nga taksat dhe tarifat vendore).

“Ky fond i akorduar njësive të vetëqeverisjes vendore së bashku me fondin që këto do të adresojnë përbën fillimin e një reforme të rëndësishme për mbrojtjen civile”, bëhet e ditur në relacionin e projektbuxhetit.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj bëri të ditur një ditë më parë gjatë prezantimit të projektbuxhetit për vitin 2021 në Komisionin e Ekonomisë se krahas fondit prej 500 milionë lekësh që është parashikuar të shpërndahet për njësitë e qeverisjes vendore, në buxhetin e ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të bujqësisë ka fonde për mbrojtjen civile.

“Janë dy elementë, i pari te pjesa e buxhetit të ministrisë së Mbrojtjes që zakonisht ka qenë 130 milionë lekë dhe sot ka shkuar në 450 milionë lekë, por edhe fondi brenda buxhetit të ministrisë së Bujqësisë me një vlerë gati 1 miliard lekë çdo vit që është për parandalimin e përmbytjeve”, theksoi ministrja Denaj.

Buxhetet, shtoi ajo, do të fillojnë të programojnë disa kontigjenca për të parandaluar dhe jo vetëm për të reaguar pas situatave.

“Ne e kemi buxhetin e vështirë këtë vit për të krijuar këto hapësira, pasi në 2020-n dhe 2021-n duhet të kalojmë prioritetet që janë rindërtimi dhe pandemia”, tha Denaj.

Krijimi i një fondi për mbrojtjen civile jo vetëm për të reaguar post fatkeqësie por edhe për të parandaluar situatat ishte një nga kërkesat e donatorëve për qeverinë shqiptare pas dy fatkeqësive natyrore që goditën vendin tonë përgjatë harkut kohor të një viti, tërmeti i 26 nëntorit dhe pandemia e COVID-19./a.gjonaj//a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.