Mbështetja dhe zhvillimi i startup-eve inovative, p/ligji në fazën e konsultimit publik

TIRANË, 27 tetor/ATSH/ Ministria e Financave dhe Ekonomisë nxjerr për konsultim publik projektligjin “Për mbështetjen dhe zhvillimin e startup-eve inovative”.

Projektligji ka për qëllim krijimin i një kuadri rregullator dhe institucional, i cili mbështet dhe favorizon krijimin dhe zhvillimin e bizneseve të reja me potencial të lartë rritjeje, në fushën e teknologjisë dhe inovacionit, të njohura botërisht si startup-e inovative, të cilat realizojnë ide, modele, produkte dhe procese të reja biznesi, të cilat sjellin risi dhe përmirësim të ndjeshëm në çdo fushë të ekonomisë.

Ky p/ligj synon të plotësojë boshllëkun ligjor ekzistues, pasi deri më sot, nuk ka patur dispozita të cilat rregullonin situatat e lidhura me startup-et innovative në vendin tonë.

Objektivat që synohen të arrihen përmes miratimit të këtij projektligji dhe zbatimit të tij janë përcaktimi i lehtësirave fiskale, programeve dhe masave që mbështesin startup-et inovative në fazën fillestare të biznesit (periudha e inkubimit) dhe krijimin e një eko-sistemi të favorshëm për to në Republikën e Shqipërisë.

Po ashtu, organet shtetërore të cilat ngarkohen me detyrat dhe kompetencat për mbështetjen e Startup-eve Inovative, si dhe përcaktimin e kritereve, rregullave dhe procedurat që zbatohen për certifikimin, mbështetjen, vlerësimin dhe monitorimin e startup-eve inovative./a.gjonaj//a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.