Manastirliu: Vëmendja e qeverisë shqiptare e pandalshme për integrimin e komunitetit rom dhe egjiptian

TiRANË, 27 tetor/ATSH/ U zhvillua sot në Tiranë takimi Ministerial i vendeve të Ballkanit Perëndimor për Integrimin e komunitetit rom, një vit pas miratimit të deklaratës për integrimin e tyre, në Poznan të Polonisë.

Takimi i organizuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC), bashkë me ministrat përgjegjës për Integrimin e Romëve nga Ballkani Perëndimor, si dhe përfaqësues nga Komisioni Europian, shtetet anëtare të BE-së, duke përfshirë organizatat ndërkombëtare dhe organizatat e shoqërisë civile rome.

Gjatë fjalës saj Manastirliu tha se vëmendja e qeverisë shqiptare është e pandalshme në mbështetjen dhe mirëqenien e komuniteti rom dhe egjiptian që lidhen direkt me shëndetësinë, arsimin, punësimin, formimin professional, strehimin dhe me të drejtat themelore të tyre.

“Kemi forcuar programet e shëndetit publik, siç është vaksinimi i fëmijëve, nga i cili kanë përfituar me mijëra fëmijë romë dhe egjiptian në kuadër të vaksinimit në komunitet, për t’i siguruar çdo fëmije rom dhe egjiptian vaksinimin aty ku ata jetojnë dhe banojnë”, tha Manastirliu gjatë fjalës së saj.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale tha se bonusi i bebes si një instrument financiar që ndihmon familjet shqiptare ndikon edhe në regjistrimin në kohë reale të të gjithë fëmijëve, përfshirë fëmijët e komunitetit rom dhe egjiptian.

“Nëpërmjet këtij programi të ri, duke realizuar digjitalizimin e regjistrimit që në maternitete, është rritur dhe përmirësuar regjistrimi i komunitetit rom. Dhe kështu bëhet më i shpejtë informacioni, ndjekja dhe sigurimi i mbrojtjes të shëndetit të çdo fëmije”, tha Manastirliu.

Një ndër prioritetet për integrimin e komunitetit rom dhe egjiptian është aksesi në arsim, për të cilën Manastirliu tha se në objektivat e arsimit 2021-2026 synohet që sa më shumë fëmijë të përfundojnë ciklin e mesëm apo edhe universitetin.

“Më lejoni të përmend dhe disa nga prioritetet tona të lidhura drejtëpërdrejtë me Deklaratën e Poznan, me tarifat zero në Universitete, me librat falas në shkolla. Me të gjithë mbështetjen e vazhdueshme me integrimin e fëmijëve të rrugës në aktivitetin arsimor dhe me vendosjen e dy objektivave të arsimit 2021 -2026 për të mundësuar që 90 % e fëmijëve që shkojnë në shkollë të ciklit të mesëm të mundet ta përfundojnë atë dhe gjithashtu të objektivit ambicioz të vendosjes së 50 % të fëmijëve dhe të rinjve që frekuentojnë fakultetin të mund të mundet ta përfundojnë atë”, bëri të ditur Manastirliu.

Strehimi i përballueshëm për komunitetin rom dhe egjiptian është një nga objektivat e vendosura.

“Me ligjin e strehimit mundësojnë më shumë strehim të përballueshëm për komunitetin romë dhe egjiptian. Do të jetë pikërisht dhe instrumenti që së bashku me Këshillin Rajonal, do të pilotojnë në dy bashki për ndërtimin, për hartëzimin e banesave sociale për romët në vendet tona”, tha Manastirliu.

Ministrja Manastirliu gjatë fjalës saj tha se Shqipëria merret shembull për buxhetimin e përgjegjshëm gjinor dhe se e njëjta gjë do të bëhet për sa i përket komunitetit rom dhe egjiptian.

“Ky instrument do të votohet në tre programe buxhetore, që ne tashmë e kemi linjëzuar me tre ministritë e linjës. Buxhetimet konkrete për komunitetin rom, patjetër që do të na orientojë më mirë për nevojat që kanë këto komunitete, por dhe drejt objektivave të vendosura për strategjitë tona kombëtare por dhe angazhimet që kemi marrë në kuadër të deklaratës së Poznanit dhe në kuadër të të gjithë iniciativave, në kuadër të procesit të Berlinit”, tha Manastirliu./k.s//a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.