Kthimi i Kodit Zgjedhor/ Spaho: Rama theu marrëveshjen e 5 qershorit

TIRANË, 27 tetor /ATSH – I. Vata/ Nënkryetari i PD-së, Edmond Spaho tha sot në një intervistë se Edi Rama ka thyer marrëveshjen e 5 qershorit.

Duke folur për kthimin e ligjit të Kodit Zgjedhor nga presidenti Meta, Spaho tha se “ashtu sikurse PD është shprehur edhe herë të tjera, është thyerje e marrëveshjes së 5 Qershorit, për të arritur konsensus për rregullat zgjedhore. Edi Rama e theu këtë marrëveshje, për ndryshimet kushtetuese dhe ndryshimet në Kod, me të cilat synon të marrë privilegje e avantazhe për partinë e tij, në procesin zgjedhor”.

“Në fakt po vë karrigen e tij të pushtetit mbi interesat e Shqipërisë, pasi marrëveshja e 5 qershorit, përveçse do të ndikonte pozitivisht në uljen e tensioneve politike në vend, do të ishte një hap i mirë, i mjaftueshëm për marrjen e datës për hapjen e negociatave”, u shpreh Spaho.

“Edi Ramës nuk i intereson hapja e negociatave, i intereson të qëndrojë në pushtet. Por pavarësisht manovrave që bën nëpërmjet ndryshimit të kodit, heqjes së koalicioneve parazgjedhore, fati i tij politik tashmë është i vendosur, në 25 prill do të ketë rotacion politik dhe ai nuk e pengon dot me përpjekjet që bën, pasi është gjendja e vendit, humnera në të cilën po shkojmë, padurimi i qytetarëve që të votojnë sa më shpejt të jetë e mundur e të shpëtojnë nga kjo e keqe”, tha Spaho. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.