Kredia afatmesme u rrit me 7% krahasuar me një vit më parë

TIRANË, 27 tetor /ATSH/ Kreditimi i ekonomisë po ndjek trendin e rritjes së qëndrueshme pothuajse në të tre kategoritë e saj, afatgjatë, afatmesëm dhe afatshkurtër.

Banka e Shqipërisë bën të ditur se, kredia afatmesme, me maturim një deri në pesë vjet, shënoi një rritje vjetore pranë nivelit të 7%.

Ndërsa kredia afatgjatë në terma maturimi për më shumë se pesë vjet, kryesoi huadhënien duke zënë 58% të portofolit total të kredisë për ekonominë.

Sipas BSH-së, ndryshe nga dy këto kategori, kredia afatshkurtër, me afat maturimi deri në një vit, u tkurr me 8%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ndryshimi i strukturës së kredisë sipas afatit lidhet me qëllimin e përdorimit të kredisë.

Në këtë kontekst Banka e Shqipërisë vëren se interes në rritje po merr huadhënia për investime përmes kredive afatgjatë, afatmesëm ndërsa është ulur kredia afatshkurtër ku përgjithësisht bën pjesë overdrafti. /a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.