Kodi Zgjedhor/ S’kemi kohë për të humbur, Balla: Dekreti i Metës, spirale e rrezikshme që cenon zgjedhjet e 25 prillit

TIRANË, 27 tetor/ATSH / Pritja e opinionit të Venecias sa i takon debatit për kodin zgjedhor, do të ishte një spirale e rrezikshme që cenon dhe zgjedhjet e 25 prillit.

Taulant Balla, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, pasditen e të martës, përmes një deklarate për mediet nga kryesia e Kuvendit u shpreh se, “mazhoranca rrëzoi dekretin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, pasi ky dekret u vlerësua si një përpjekje për ta futur vendin në një spirale të rrezikshme 180 ditë përpara zgjedhjeve”.

“Kuvendi i Shqipërisë përmes Komisionit të Ligjeve ka rrëzuar dekretin e Presidentit të Republikës për Kodin Zgjedhor, të shumta janë argumentet e rrëzimit që shoqërojnë dekretin, por ajo që dua të them është se rezultati i përket shumicës së deputetëve të Kuvendit për t’i dhënë rrugë hyrjes në fuqi të ndryshimeve në Kod. Duhet refuzuar përpjekja e Metës për ta futur vendin në një spirale të rrezikshme sa kohë që janë më pak se 180 ditë në dispozicion”, – u shpreh Balla.

“Ilir Meta për asnjë moment me këtë dekret s’ka pasur për qëllim të përmirësojë kuadrin zgjedhor në Republikën e Shqipërisë, por si gjithmonë pozicioni i tij ekstremist ka qenë sabotimi dhe gjithçka për të penguar zhvillimin normal të zgjedhjeve të 25 prillit”, – vijoi Balla.

“Për shumicën Komisioni i Venecias gjithnjë është i mirëpritur për të sjellë një opinion të pjekur, i cili do diskutohet nga të gjitha forcat politike me vëmendje dhe do adresohet edhe për çështje pas 25 prillit, por tani s’kemi kohë për të humbur, për të hyrë në një aventurë”, – theksoi Balla.

“Unë e kam sqaruar dhe Komisionerin në një bisedë që kemi pasur, biseda të drejtpërdrejta miqësore, pa dorashka, se parlamenti nuk do presë asnjë sekondë, sepse kemi zgjedhjet më 25 prill dhe s’kemi pse të hyjmë në spiralen e një aventure ku na fton Ilir Meta, i cili nuk ka qëllim të përmirësojë kodin zgjedhor por ka për qëllim të sabotojë nga pozicioni i tij ekstremist, antishumicë dhe antiparlament në këtë proces”, – shtoi ai.

“Kanë nevojë të kenë të shkruar e zezë në të bardhë ligjin zgjedhor. Implementimi i ligjit zgjedhor kërkon kohën e vet, është marrë dhe një angazhim për identifikimin biometrik, koha është jashtëzakonisht e ngushtë. Ne nuk kemi asnjë arsye që të mos e refuzojmë në sekondën e parë që kalon afati i procedurës Ilir Metën, i cili me gjithë këtë përpjekje që është botërisht e identifikuar si përpjekja e një lideri alternativ të një opozite të copëtuar dhe lideri absolut i një partie të degraduar”, – tha Balla.

Pas deklaratës së Ballës, reagoi zëdhënësi i Presidentit Ilir Meta.
“Z.Balla, reflektoni dhe thellohuni deri të enjten!  Presidenti e dëgjoi thirrjen e Europës!
Dëgjojeni edhe ju! Boll e morët peng të ardhmen europiane të Shqipërisë”, deklaroi zëdhënësi Tedi Blushi.

/a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.