Kodi Zgjedhor/ Parlamenti nuk do presë asnjë sekondë, opinioni i Venecias përtej 25 prillit

TIRANË, 27 tetor/ATSH/ Parlamenti nuk do presë asnjë sekondë për të votuar Kodin Zgjedhor, ndërsa opinioni i Venecias do të mbetet për të adresuar çfarëdolloj çështje që mund të dalë përtej 25 prillit.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama në konferencën për shtyp nga Rinasi.

“E kam sqaruar edhe Komisionerin për Zgjerimin Oliver Varhelyi në një bisedë që kemi pasur, si gjithmonë biseda të drejtpërdrejta e miqësore, pa dorashka, që Parlamenti nuk do presë asnjë sekondë për arsye se ne kemi zgjedhjet në 25 prill dhe nuk ka asnjë mundësi të hyjmë në spiralen e një aventure ku na fton Ilir Meta, i cili nuk ka qëllim natyrisht të përmirësojë Kodin Zgjedhor, por ka qëllim të sabotojë nga pozicioni i tij ekstremist antishumicë dhe antiparlament këtë proces”, theksoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “Komisioni i Venecias është patjetër i mirëpritur të sjellë kur të pjekë opinionin e vet. Ai opinion do të diskutohet me të gjitha forcat politike dhe natyrisht duke pasur parasysh kohën që kemi në dispozicion do të mbetet për të adresuar çfarëdolloj çështje që mund të dalë përtej 25 prillit. Nuk kemi kohë për të humbur dhe nuk mund të hyjmë në asnjë aventurë, sepse strukturat e reja të administrimit zgjedhor kanë nisur punën dhe kanë nevojë të kenë të shkruar e zeza mbi të bardhë ligjin zgjedhor dhe implementimi i ligjit zgjedhor kërkon kohën e vet”.

“Mos harrojmë që është marrë edhe një angazhim për identifikimin biometrik, koha është jashtëzakonisht e ngushtë, për të mos thënë e pamundur. Por ne nuk kemi asnjë arsye që të mos refuzojmë në sekondën e parë që kalon afati i procedurës Ilir Metën me të gjithë këtë përpjekje, që është tanimë një përpjekje botërisht e identifikuar si përpjekja e një lideri alternativ të një opozite të copëtuar dhe e një lideri absolut të një partie të degraduar”, – tha Rama./k.s//a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.