TIRANË, 26 tetor/ATSH-Arbi Fortuzi/ Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi deklaroi sot se opozita i qëndron marrëveshjes së “5 Qershorit”, si pika e garancisë edhe me ndërkombëtarët.
Gjatë një konference për mediat e pyetur lidhur me rikthimin për shqyrtim në Kuvend të Kodit Zgjedhor, Kryemadhi tha se “Kodi zgjedhor është taktikë elektorale që Rama tenton që të çorientojë qytetarët”.
“Angazhimi i opozitës për Kodin Zgjedhor ka qenë përfshirja në diskutimet në Këshillin Politik, edhe pse e vështirë për shkak të sjelljes arrogante të mazhorancës. Pavarësisht se Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, bëri kërkesë ku i kërkon mazhorancës që të presë e mos të tregohet arrogante dhe të presë Komisionin e Venecias, nuk tregon gjë tjetër vetëm panikun le të themi dhe mungesën e besimit që ka Rama dhe grupi i tij për zgjedhjet e 25 prillit”, tha Kryemadhi.
Por sipas, saj beteja e opozitës është 25 prilli, ku shqiptarët do të shkojnë tek kutia e votimit.
Gjithashtu, Kryemadhi shprehu solidaritet me grevën e urisë së naftëtarëve e Ballshit.
“Ne si LSI i jemi drejtuar SPAK-ut për të hetuar rreth kësaj afere korruptive, por edhe Kontrollit të Lartë të Shtetit që të hetojnë. Përgjegjësia e shtetit shqiptar për rafinerinë e naftës së Ballshit është e drejtpërdrejtë. Është shumë e thjeshtë që vetëm me të ardhurat që merren nga nafta është mundësia jo vetëm për të paguar pagat e naftëtarëve, por dhe për të rifilluar punën në uzinë, që këta naftëtarë të kenë mundësinë e vazhdimësisë së jetës së tyre”, tha ajo.
Kryemadhi më tej tha se pagat e naftëtarëve janë vetëm sa dyshemeja që paguan shteti shqiptar për inceneratorin e Fierit.
“Ato pagat e naftëtarëve janë vetëm 7 milionë euro, është aq sa çka bërë dyshemeja e inceneratorit të Fierit që janë paguar nga buxheti i shtetit dhe që nuk dihet se kush është personi për të cilin po ndërton dhe po punon atje dhe aq më shumë për sa i përket edhe obligimit njerëzor ndaj këtyre njerëzve”, u shpreh ajo. /r.e/