Kodi Zgjedhor/ Basha: Rama po i mbyll shqiptarëve derën e Europës

TIRANË, 27 tetor/ATSH / Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, të martën, u shpreh se kushti i vetëm për të mbajtur tryezën e parë ndërqeveritare për integrimin në Bashkimin Europianë janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, por sipas Bashës, Kryeministri po i mbyll derën kësaj mundësie.

Basha vlerësoi apelin e dytë të komisionerit të BE për Zgjerimin, Oliver Varhelyi. “Europa i thotë mos e kalo Kodin, se nuk të hap negociatat, nuk të pranoj në tavolinë, kur do të shkelësh standardet e zgjedhjeve. Por tmerri e ka shtyrë që të dalë kundër interesit kombëtar. Prej tmerrit që ka po sakrifikon edhe njëherë interesin e shqiptarëve. Nuk është hera e parë. Këtë ka bërë. Kur ishim gati për NATO, bënte demonstrata. Kur do hiqnim vizat, shkruante letra në Kuvend. Tani që kushti i vetëm është zgjedhje të lira e të ndershme për të hapur konferencën e parë ndërqeveritare, po i mbyll shqiptarëve derën e Europës. Njësoj si me pandeminë, dhe me integrimin europian”, – tha Basha.

Lidhur me numrin e partive të djathta, Basha deklaroi se ka vetëm parti të krijuara nga kryeministri Rama. “S’ka asnjë parti të dalë nga PD, ka vetëm parti të krijuara nga Edi Rama. Por prapë është i pashpresë. Madje kjo e tregon se sa i pashpresë është”, – tha Basha. /a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.