KLP cakton drejtuesin e përkohshëm të Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit, Tiranë

TIRANË, 27 tetor/ATSH/ Këshilli i Lartë i Prokurorisë zhvilloi sot mbledhjen e radhës ku miratoi projektvendimet për caktimin e përkohshëm në detyrë të disa prokurorëve.

Po ashtu si rezultat i procesit të rivlerësimit kalimtar, Komisioni i Pavarur i Apelit ka shkarkuar nga detyra drejtuesin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Tiranë.

“Me qëllim për të plotësuar vendin e lirë përkohësisht të Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Tiranë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë miratoi projektvendimin për caktimin e përkohshëm të prokurorit Genti Xholi prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Tiranë, të ushtrojë përkohësisht funksionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë kësaj Gjykate”, thuhet në njoftim.

Këshilli miratoi listën pjesore të 22 kandidatëve për t’u pranuar në Programin e Formimit Fillestar të Shkollës së Magjistraturës, në vitin akademik 2020-2021.

Këshilli vlerësoi se procesi i vettingut nuk duhet të pengojë e aq më pak të shërbejë si justifikim që Këshilli të mos realizojë procese shumë të rëndësishme për karrierën e prokurorëve ku përfshihet edhe ngritja në detyrë.

Në këto procese ligji i ngarkon në mënyrë eksplicite Këshillit të drejtën dhe detyrën për të kryer verifikimin e pasurisë dhe figurës së kandidatëve dhe më pas të kryejë edhe procedurat e vlerësimit dhe pikëzimit të kandidatëve. Këtë kompetencë që ligji i ka dhënë Këshillit, ai nuk mund t’ia delegojë një organi tjetër siç është Komisioni i Pavarur të Kualifikimit.

Këshilli miratoi ngritjen e Komisionit ad hoc pёr shqyrtimin e rasteve të qëndrimit publik të Këshillit të Lartë të Prokurorisë në mbrojtje të figurës së prokurorit, të përbërë nga Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Kryetarët e Komisioneve të Përhershëm. Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë është dhe Kryetari i këtij Komisioni. Komisioni, me nismë ose bazuar në kërkesat e prokurorëve, mund të bëjë deklarata publike në mbrojtje të prokurorëve të Republikës së Shqipërisë./m.m/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.