Këshilli i Lartë i Gjyqësor shkarkon nga detyra gjyqtarin e Apelit, Tiranë

TIRANË, 27 tetor /ATSH/ Inspektori i Lartë i Drejtësisë parashtroi para Këshillit të Lartë Gjyqësor konkluzionet lidhur me procedimin disiplinor ndaj magjistratit SH.M. me detyrë gjyqtar në Gjykatën e Apelit Tiranë.
“Referuar fakteve dhe rrethanave rezulton se veprimet e gjyqtarit kanë cenuar veprimtarinë e rregullt të organeve të drejtësisë nga veprimet e parregullta të personave të jashtëm por edhe nga veprimet e vetë atij si funksionar i drejtësisë. Këto veprime kanë cenuar besimin e palëve ndërgjyqëse dhe të publikut në organet e drejtësisë dhe respektimin e ligjit nga ana tyre, si dhe kanë diskretituar rëndë pozitën dhe figurën e magjistratit. Ushtrimi i parregullt i detyrës nga ana e magjistratit ka sjellë pasoja për dhënien e drejtësisë, ka diskredituar rëndë pozitën dhe figurën e gjyqtarit, si dhe ka cenuar besimin e publikut te drejtësia”, tha Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani gjatë parashtrimit të konkluzioneve.
Këshilli i Lartë Gjyqësor në seancën e datës 27 tetor, pasi administroi provat e paraqitura nga ana e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, vendosi pranimin e kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për fillimin e procedimit disiplinor ndaj magjistratit Sh.M., me detyrë gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit Tiranë për shkeljet disiplinore të parashikuara në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe Ligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar dhe caktimin ndaj tij të masës disiplinore “Shkarkim nga detyra”. /j.p//r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.