Investimet publike 7.2% e PBB-së/ Denaj: Mbështesin rritjen ekonomike dhe punësimin

TIRANË, 27 tetor/ATSH/ Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj prezantoi sot projektbuxhetin e vitit 2021 në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese.

“Projektbuxheti 2021 synon rimëkëmbjen ekonomike të vendit pas dy fatkeqësive natyrore si tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe pandemia e shkaktuar nga COVID-19”, deklaroi ministrja Denaj.

Kjo sipas ministres, përmes skemave të nxitjes së punësimit, mbështetjes proaktive ndaj biznesit, rindërtimit të plotë të banesave të qytetarëve të prekur nga tërmeti si dhe masave parandaluese të përhapjes së mëtejshme të COVID-19.

“Pas recesionit të fortë në vitin 2020, aktualisht i parashikuar në -6.1%, ekonomia pritet të rekuperohet në vitin 2021 dhe të vijojë trendin pozitiv në periudhën afatmesme. Rritja ekonomike parashikohet në 5.5% në vitin 2021 dhe parashikohet të vijojë të qëndrojë afër nivelit prej 4.9% përgjatë periudhës afatmesme në vijim”, u shpreh Denaj.

Norma e papunësisë, tha ajo, parashikohet me ulje në 2021 në nivelin 12.2% krahasuar me të pritshmin e vitit 2020 prej 13.9%.

“Rritja ekonomike dhe punësimi, do të mbështetet edhe nga objektivi tjetër i planifikuar në këtë buxhet, ai i sigurimit të një niveli të lartë të investimeve publike prej 7.2% e PBB”, deklaroi Denaj.

Shpenzimet buxhetore për periudhën 2021-2023, theksoi Denaj, do të mbështesin një nivel të lartë investimesh publike duke u përqendruar në procesin e rindërtimit si dhe financimin e projekteve të rëndësishme strategjike.

“Shpenzimet e planifikuara synojnë finalizimin e projekteve të rrugëve nacionale, mbështetjen e sektorit të ujit, shëndetësisë, arsimit dhe sektorit të bujqësisë dhe zhvillimit rural”, u shpreh ministrja.

Po ashtu, ministrja Denaj bëri të ditur se niveli i borxhit publik do t’i rikthehet trajektores rënëse në vitin 2021 me një vlerë rreth 78.6% të PBB, nga rreth 80.9% që pritet në vitin 2020. /a.gjonaj//a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.