Investimet në ujitje arritën në 3.5 miliardë lekë/ Sot ujiten 255 mijë hektarë tokë nga 120 mijë hektarë në 2013-ën

TIRANË, 27 tetor/ATSH/ “Sot ujisim 255 mijë hektarë tokë buke nga 120 mijë hektarë që ishte sipërfaqja e ujitshme e tokës bujqësore në vitin 2013”.

Kështu u shpreh sot Kryeministri Edi Rama, duke sjellë në vëmendje investimet që janë kryer në sistemet ujitëse të fushave të Myzeqesë.

Rama tha se “plot 7 mijë hektarë tokë bujqësore vaditen sot vetëm në Myzeqe pas rindërtimit të kanalit kryesor në Çukas të Lushnjës”.

“Kemi rritur investimet në ujitje me 188% duke investuar rreth 3.5 miliardë lekë për t’i lehtësuar fermerëve aktivitetin duke ndikuar dhe në rritjen e prodhimit bujqësor në Myzeqe dhe jo vetëm”, tha Kryeministri.

Ashtu siç u shpreh edhe një fermer i kësaj zone “më parë ky kanal ka qenë i mbushur me ferra dhe plehra dhe nuk plotësonte nevojat për ujitje”. “Sivjet u bë i mundur rehabilitimi i kanalit me investimin e kryer nga shteti shqiptar. Na janë plotësuar të gjitha nevojat tona për vaditje”, tha fermeri. /m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.