Individët investuan 6.8 miliardë lekë bono thesari në 9-mujorin e këtij viti

TIRANË, 27 tetor /ATSH/ Individët investuan rreth 6.8 miliardë lekë bono thesarit, gjatë nëntë muajve të parë të këtij viti.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, vlerën më të lartë prej 68% e vlerës së bonove të blerë nga individët në tregun primar gjatë nëntë muajve të parë të këtij viti, e dominon vetëm njëra nga bankat tregtare. Ndërsa përqindjet lëvizim poshtë këtij niveli në bankat e tjera tregtare.

Për sa i takon kostove, komisionet e aplikuara janë në nivelin 0.2% të shumës së investuar, por jo më shumë se 10 mijë lekë.

Banka e Shqipërisë vendosi në muajin gusht të këtij viti ndërprerjen e ofrimit të shërbimit të pjesëmarrjes në ankandet e bonove për individët.

Duke filluar nga viti 2021, banka qendrore nuk do të pranojë më hapjen e llogarive të reja për këtë qëllim dhe individët do të mund ta marrin këtë shërbim vetëm prej bankave tregtare të licencuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) si shoqëri komisionere për veprimet me letrat me vlerë të qeverisë shqiptare. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.