Hasa: OFL po tallet me ligjin dhe me qytetarët

TIRANË, 27 tetor /ATSH – I. Vata/ Ish-deputeti i PD-së Endri Hasa doli sot kundër vendimit të OFL-së për plotësimin e formularit të pasurisë nga Llazar Bicja, pasi sipas tij, ky i fundit duhet të ishte i arrestuar për vrasje.

“Kjo që kanë bërë në Cërrik me gjoja pasurinë e Llazar Bicjes është vetëm një shfaqje e turpshme. Ky është një nga vrasësit e gardistëve në 97-ën. Prej atëherë jeton në arrati, nuk e ka vuajtur kurrë dënimin. Në vend që ta gjejë dhe ta çojë para drejtësisë, OFL i kërkon burimin e pasurisë një vrasësi në arrati, duke u bërë një trupë qesharake dhe joserioze”, shprehet ai.

Po ashtu, Hasa shton se “kur policia shndërrohet në trupë gaztorësh, nuk mund të pritet prej saj që të veprojë si institucion i zbatimit të ligjit. Shqipëria e Edi Ramës është vendi i vetëm në botë ku policia është e pamëshirshme, kur vjen fjala për të shembur Teatrin dhe bën teatër me rendin dhe zbatimin e ligjit”. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.