GJENEVË – OKB: Rënie e investimeve të huaja direkte si pasojë e pandemisë

GJENEVË, 27 tetor /ATSH-AFP/ – Kriza e koronavirusit do të ulë investimet e huaja direkte (IED) me 40% këtë vit, me një rimëkëmbje të pritshme në 2022, deklaruan ekonomistët e OKB-së.

Konferenca e Kombeve të Bashkuara për Tregtinë dhe Zhvillimin (CNUCED) shpjegon në një raport se kufizimet dhe perspektiva e një recesioni të thellë botëror kanë reduktuar në mënyrë të konsiderueshme investimet e huaja direkte (IED), të cilat u referohen investimeve përmes së cilave një kompani rezidente në një vend fiton një interes të qëndrueshëm në një njësi ekonomike rezidente në një vend tjetër.

Ky nocion i interesit të qëndrueshëm bën të mundur dallimin e IED-ve nga flukse thjesht financiare dhe më të luhatshme.

Sipas CNUCED, këto investime transkufitare kanë rënë me 49% në tremujorin e parë 2020 në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Nga financimi i infrastrukturës te bashkimet dhe blerjet, të gjitha format kryesore të investimeve të huaja janë prekur.

“Rënia ka qenë mjaft drastike”, theksoi drejtori i Divizionit të Investimeve dhe Ndërmarrjeve në Unctad, James Zhan, në një konferencë shtypi.

Rënia e IED-ve pritet të ngadalësohet në gjysmën e dytë të vitit, duke rezultuar në një rënie vjetore prej 30-40% për gjithë vitin.

“Perspektivat mbeten shumë të pasigurta dhe varën nga kohëzgjatja e krizës shëndetësore dhe efikasiteti i ndërhyrjeve politike që synojnë zbutjen e efekteve ekonomike të pandemisë”, theksoi Zhan.

”Rreziqet gjeopolitike rrisin gjithashtu pasigurinë”, shtoi ai./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.