Forum shkencor për energjinë/ Akademiku Kaçani: Për t’u përshëndetur zhvillimet e fundit në këtë sektor

TRIANË, 27 tetor/ATSH/ Shqipëria zotëron potenciale të rëndësishme të burimeve të energjisë duke përmendur sidomos energjinë e ujit, diellit, naftën dhe nënproduktet e saj, gazin natyror, biomasën etj.

Kështu u shpreh sot akademiku Jorgaq Kaçani në forumin shkencor për energjinë dhe disa nga sfidat e konsumit të saj në banesa, që po zhvillohet në Akademinë e Shkencave.

Akademik Kaçani u shpreh se qëllimi i këtij aktiviteti është mbështetja e Akademisë së Shkencave ndaj promovimit të produkteve të kërkimit shkencor dhe forcimi i bashkëpunimit ndërmjet institucioneve kërkimore në shërbim të zhvillimit të vendit.

“Janë për t’u përshëndetur zhvillimet e fundit në sektorin e Energjisë që konsistojnë jo vetëm në përmirësimet ligjore, por edhe në realizime konkrete si aplikimi i impianteve Fotovoltaike, zhvillimi i HEC-ve të vegjël, përfundimi i projektit TAP, ngritja e Agjencisë për Eficiencë të Energjisë, mbështetja e iniciativës për ndërtimin e HEC-it të Skavicës etj., mbështetje për studimin e leverdishmërisë të ndërtimit të impianteve të energjisë së erës etj., projekte për fuqizimin e rrjeteve të transmetimit dhe  shpërndarjes dhe projekte për termoizolimin e ndërtesave etj.”, – nënvizoi Kaçani.

Akademiku Kaçani tha se “energjia përfaqëson një sektor të rëndësishëm për zhvillimin e Shqipërisë, që përballet me sfida të ndryshme dhe që përfshijnë aspekte teknike, ekonomike, sociale, mjedisore etj. Duke qenë një sektor kompleks dhe me ndikim shumë të madh në jetën e qytetarëve, ai është në të njëjtën kohë një sektor ku puna kërkimore-shkencore kërkon një mbështetje të madhe me burime njerëzore e financiare, si dhe një infrastrukturë kërkimore bashkëkohore”.

Ne, vijoi Kaçani, jemi dëshmitarë për nevojën evidente për një fuqizim të punës shkencore në fushën e energjisë.

“Kjo punë kërkimore ka parakusht forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të ndryshme që operojnë në fushën e energjisë, gjë që përbën edhe qëllimin e këtij aktiviteti”, – tha Kaçani.
/k.s//a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.